Njoftimi për media

Instrumenti i financimit të gjelbër të Maqedonisë së Veriut u zgjodh në mesin e dhjetë instrumenteve më të mira financiare të kombinuara të OZhQ-ve në botë, për sa i përket marrjes së mjeteve financiare nga Fondi i përbashkët i OZhQ-ve

15 shkurt 2022

  • Instrumenti i ri i financimit të gjelbër do të nisë në verën e vitit 2022 dhe pritet të bëhet plotësisht funksional deri në fund të vitit.

SHKUP| 15 shkurt 2022| Programi i përbashkët i Maqedonisë së Veriut për krijimin e një Instrumenti të ri të financimit të gjelbër (IFGj/GFF), i përzgjedhur nga një grup global i aplikimeve që vijnë nga mbi 100 vende të botës, ishte në mesin e gjithsej dhjetë programeve të konsideruara si më me ndikim, me levën më të madhe të bashkëfinancimit dhe të gatshëm për investime nga Fondi i përbashkët i OZhQ-ve.

Me mbështetjen financiare nga Fondi i Përbashkët i OZhQ-ve, ky program do ta krijojë një mjet të ri financiar, i cili do të sigurojë qasje në financim të përballueshëm të gjelbër për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) dhe për individët dhe familjet (përfshirë individët dhe amvisëritë me potenciale tregu, por që nuk kanë qenë të shërbyer sa duhet) për investime në zgjidhjet e energjisë së rinovueshme (ER) dhe efiçiencës së energjisë (EE). Me këto investime, IFGJ-ja do të kontribuojë drejtpërdrejt në uljen e emetimeve të gazeve serrë dhe ndotjes së ajrit dhe do ta forcojë ekosistemin lokal për financimin e gjelbër të ER-së & EE-së.

7.9 milionë dollarët amerikan e marra nga Fondi i përbashkët i OZhQ-së do të ndihmojnë në krijimin e programit me vlerë të kombinuar prej 46.5 milion dollarë, duke e përfshirë bashkëfinancimin e parashikuar që vjen nga partnerët e përfshirë (në pritje të miratimit). Për ta ndihmuar vendin në luftimin e ndotjes së ajrit dhe ndryshimeve klimatike, përveç organizatave të Kombeve të Bashkuara të përfshira (Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim - UNDP, Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropë - UNECE dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin - IOM) dhe Qeveria (e përfaqësuar nga zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, si dhe nga Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor) programit do t’i bashkëngjitet edhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH/EBRD) dhe pjesa më të madhe e bankave private në vend.

Kalimi në një përbërje më të qëndrueshme të energjisë përmes rritjes së prodhimit të energjisë së rinovueshme (veçanërisht diellore) dhe rinovimit me efikasitet energjetik të ndërtesave dhe shtëpive është një objektiv kryesor strategjik i Qeverisë.

“Instrumenti e financimit të gjelbër është e ardhmja e financave dhe e rritjes ekonomike drejt arritjes së kalimit të gjelbër nga ekonomia modeste në atë moderne, me burime efikase dhe konkurruese. Qeveria jonë tashmë është duke ndërmarrë hapa drejt hapjes së alternativave të reja për ekonominë, ku qytetarët dhe bizneset kanë mundësi të arrijnë një mënyrë jetese dhe të bërit biznes “të gjelbër” dhe të qëndrueshme”, thotë zëvendëskryeministri Fatmir Bytiqy. “Ne jemi të përkushtuar ndaj këtij qëllimi dhe të hapur për bashkëpunim me partnerë të tjerë progresivë në përmbushjen e këtij qëllimi. Ky është njëri nga aspektet kyçe të suksesit të madh, që qëndron pas Instrumentit të financimit të gjelbër, veçanërisht si një shtytës në rajonin më të gjerë të Evropës Juglindore.” 

Me zhvillimin dhe funksionalizimin e Instrumentit të financimit të gjelbër për qasje në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe amvisëritë, do të rriten ndjeshëm investimet në energjinë e rinovueshme dhe efikasitetin e energjisë. Kjo do të sjellë reduktim të emetimeve të gazeve serrë dhe ndotjes së ajrit. Programi është në linjë dhe e mbështet përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZhQ), si dhe të objektivave të Kornizës për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Qëndrueshëm të OKB-së (KBZhQ). Kjo qasje do të rezultojë me 70,068 MWh kursime vjetore të energjisë, 80,510 ton emetime të CO2-eq të shmangura dhe 10,7 MW në kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme. Për më tepër, mundësimi i qasjes në financime të përballueshme për energjinë e rinovueshme dhe zgjidhjet e efikasitetit të energjisë do të kontribuojë në avancimet drejt OZHQ-ve 7 dhe 13.

“Shumë vende punojnë për modele financiare për bashkëveprim dhe përfitim nga financimi i qeverisë dhe sektorit privat. Prandaj Kombet e Bashkuara janë shumë krenare që kontribuojnë me 7.9 milionë dollarë për Instrumentin e financimit të gjelbër, i cili do ta bëjë pikërisht këtë – do ta bashkojë financimin dhe ekspertizën nga qeveria, sektori bankar në vend - një nga institucionet financiare ndërkombëtare më me përvojë në këtë fushë – BERZH-në dhe Kombet e Bashkuara -  për të arritur energji të rinovueshme dhe efikasitet të energjisë”, thotë Rosana Duxhak, Koordinatore e përhershme e OKB-së në Maqedoninë e Veriut.

Përshpejtimi i tranzicionit të energjisë (të gjelbër) në çdo vend kërkon investime të konsiderueshme financiare, të cilat mund të sigurohen vetëm nëse bashkohen burimet e financimit qeveritar, privat dhe ndërkombëtar, në mënyrë që bizneset dhe familjet të kenë qasje në financa të përballueshme për këto lloje të investimeve.

“Mbështetja e tranzicionit të gjelbër është një nga prioritetet kryesore të BERZH-së në Maqedoninë e Veriut. Në vitet e fundit e kemi rritur mbështetjen tonë, duke promovuar investime në efiçencën e energjisë dhe burimet e rinovueshme dhe duke e lehtësuar dekarbonizimin e sektorit energjetik të vendit si drejtpërsëdrejti ashtu edhe përmes institucioneve tona financiare partnere. Gjatë pesë viteve të fundit kemi ofruar më shumë se 70 milionë euro financim të gjelbër për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe individët përmes sistemit bankar të vendit dhe me mbështetje të fortë nga donatorët. Këto instrumente kanë qenë shumë të suksesshme dhe e kanë krijuar një kërkesë të fuqishme për produkte të gjelbra”, thotë Andi Aranitasi, shef i BERZH-së në Maqedoninë e Veriut. “Ne jemi shumë të kënaqur që OKB-ja dhe Fondi i Përbashkët i OZhQ-së, përmes mbështetjes së tyre përmes grantit, do ta përmirësojnë më tej infrastrukturën që e kemi krijuar në treg për vendosjen e shpejtë të produkteve të tilla atraktive. Ky do të jetë bashkëpunimi i parë i kësaj natyre ndërmjet BERZH-së dhe sistemit të OKB-së, madje është nder i madh për ne që Maqedonia e Veriut do të jetë vendi pilot në këtë bashkëpunim. Ne kemi besim se ky projekt do të jetë i suksesshëm dhe do të shpijë në bashkëpunim të zgjeruar me OKB-në dhe Fondin e përbashkët të OZhQ-së. BERZH-ja pret të punojë së bashku me OKB-në e Maqedonisë së Veriut dhe Qeverinë e shtetit për zgjerimin e financimeve shtesë, të përballueshme për investime në teknologjitë e gjelbra për një numër edhe më të madh të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në vend.”

Instrumenti i ri i financimit të gjelbër do të nisë në verën e vitit 2022 dhe pritet të bëhet plotësisht funksional deri në fund të këtij vitit.

Fondi i Përbashkët i OKB-së për OZhQ është një fond mirëbesimi me shumë partnerë, i krijuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Fondi i mbështet shtetet anëtare të OKB-së duke mos i rrezikuar investimet, që nxisin zgjidhje financimi për ta përshpejtuar përmbushjen e Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm (OZhQ-të). Qëllimi i këtij fondi është të shpërndajë 1 miliardë dollarë grante çdo vit në një hark kohor deri në vitin 2030. Të gjitha programet e kanë të përbashkët një element kritik: aftësinë për t’i shfrytëzuar grantet shumë milionëshe nga Fondi i përbashkët i OZhQ-ve në miliarda për zhvillim të qëndrueshëm.

 

Instrumenti i financimit të gjelbër të Maqedonisë së Veriut u zgjodh në mesin e dhjetë instrumenteve më të mira financiare të kombinuara të OZhQ-ve në botë, për sa i përket marrjes së mjeteve financiare nga Fondi i përbashkët i OZhQ-ve

Aleksandar Dimishkovski

Aleksandar Dimishkovski

RCO
Zyrtar për Komunikim dhe Avokim

Subjektet e OKB-së të përfshira në këtë nismë

IOM
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin
RCO
United Nations Resident Coordinator Office
UNDP
Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara
UNECE
Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropën

Objektivat që mbështesim përmes kësaj nisme