Karvani i vaksinimit kundër KOVID-19 sjell informacionet dhe vaksinat më pranë qytetarëve
Karvanit vaksinimi dhe informacionesh kundër KOVID-19
Shkup, 1 prill 2022 - Zëvendës-ministri i Shëndetësisë, Vlladimir Rendevski, përfaqësuesi i USAID-it në Maqedoninë e Veriut, Erik Janowsky, zëvendës-përfaqësuesi i UNICEF-it, Artur Ayvazov, kryetari i komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani dhe përfaqësues të OBSH-së vizituan fshatin e Negotinës në komunën e Vrapçishtit, që është një nga lokacionet e fundit të karvanit të vaksinimit dhe informacioneve kundër KOVID-19.
Karvani do të përfundojë pas dy ditësh, pasi ka vizituar gjithsej 14 zona urbane dhe rurale anembanë vendit. Përveç dhënies së mundësive që komunitetet lokale të bëjnë vaksinimin e tyre kundër KOVID-19, ekipet mjekësore, së bashku me vullnetarë të Kryqit të Kuq dhe studentë nga shoqatat mjekësore, u kanë ofruar komuniteteve lokale informacione të besueshme mbi vaksinimin kundër KOVID-19, duke përfshirë përfitimet dhe rreziqet nga shtyrja e tij. U ndanë informacione edhe për vendndodhjet dhe orarin e punës së qendrave më të afërta shëndetësore, ku vaksinat janë vënë në dispozicionin e gjithsecilit.
“Sipas të dhënave të fundit nga raporti javor i Institutit të Shëndetit Publik, rreth 41.2% të popullsisë së përgjithshme në vend janë vaksinuar me dy doza. Një pjesë e madhe e popullsisë edhe më tej mbetet e pambrojtur nga sëmundja e rëndë e KOVID-19. Njerëzit e pavaksinuar janë me rrezik më të lart nga vdekja, krahasuar me ata që tanimë janë vaksinuar. Andaj, qytetarët nuk duhet të ngurrojnë dhe vendimi për t’u vaksinuar nuk duhet të shtyhet”, kumtoi zëvendës-ministri i Shëndetësisë, Vlladimir Rendevski.
Aktivitetet që janë hartuar për të rritur marrjen e vaksinave gjatë periudhës së fundit, kanë vërtetuar se në komunitetet e ndryshme funksionojnë qasje të ndryshme, që është arsyeja pse ekziston nevoja për një qasje të përshtatur, e që është specifike për nevojat e popullsisë lokale, e gjithë kjo për të siguruar qasje të lehtë te vaksinat dhe informacionet e besueshme mbi KOVID-19. Gjatë vizitës së karvanit në Novosellë, në një ditë u vaksinuan rreth 50 persona; në Shuto Orizarë u vaksinuan 35 persona, krahasuar me vetëm 4 persona që kanë marrë vaksinën në dy javët para evenimentit. Deri më tani janë vaksinuar mbi 200 persona gjatë evenimenteve komunitare që u organizuan si pjesë e karvanit.
Karvani dhe ndërhyrjet e tjera të synuara kanë kontribuar për rritjen e interesit për mbrojtje nga KOVID-19. Të premten e kaluar qendrat shëndetësore raportuan rritje nga mbi 11% të vaksinimeve mesatare ditore në hapësirat e tyre, krahasuar me javën e kaluar.
“Unë rregullisht përditësoj vaksinat e mia, dhe i inkurajoj të gjithë ata që duhet të marrin vaksina, ta bëjnë këtë. Është dëshmuar se vaksinat kundër KOVID-19 janë të sigurta dhe efektive. Ato ndihmojnë ndalimin e përhapjes së sëmundjes dhe në masë të madhe mbrojnë nga sëmundje të rënda, nga shtrimi në spital dhe nga vdekja për shkak të infeksionit me KOVID-19. Kjo është arsyeja pse ne mbështesim përpjekjet, siç është ky karvan, për të arritur më shumë njerëz, veçanërisht popullsitë e cenueshme dhe komunitetet në rrezik”, tha përfaqësuesi i USAID-it në vend, Erik Janowsky.
Ministria e Shëndetësisë dhe partnerët e saj do të vazhdojnë të punojnë për identifikimin e barrierave ndaj vaksinimit kundër KOVID-19 në komunitete të ndryshme, si dhe adresimin e këtyre barrierave përmes aktiviteteve plotësuese të personalizuara që do t'ua afrojnë vaksinat dhe informacionet qytetarëve, veçanërisht popullsive të cenueshme.
“Përqindja e lart e mbulimit me vaksina në disa vende, e kombinuar me ashpërsinë më të ulët të Omikronit, po nxit një narrativë të rrezikshme se pandemia ka mbaruar, e që nuk është ashtu. E vetmja rrugëdalje e qëndrueshme nga pandemia është arritja e mbulimit të lartë të popullsisë me vaksina në të gjitha vendet, me fokus të veçantë mbi arritjen e njerëzve më të cenueshëm, duke siguruar mbrojtje kundër sëmundjeve të rënda të shkaktuara nga KOVID-19 për të gjitha familjet dhe për të siguruar mjedise të sigurta për fëmijët”, tha zëvendës përfaqësuesi i UNICEF-it, Artur Ayvazov.
Ministria e Shëndetësisë ka nisur karvanin KOVID-19 me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Fondit të Bashkuar Kombëtar për Fëmijët (UNICEF). U nis nga Shuto Orizarë më 21 mars dhe nesër do të vazhdojë për në Kërçovë, duke përfunduar në Strugë më 3 prill. Përveç evenimenteve të organizuara në kuadër të karvanit të vaksinimit, qytetarët mund të vaksinohen në qendrën shëndetësore më të afërt çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në ora 14:00. Pika e vaksinimit në Poliklinikën “Bukuresht” në Shkup është e hapur deri në orën 20:00 nga e hëna e deri të premten.