Fushata "Ka ndihmë për një jetë pa dhunë", e cila do të promovojë shërbimet që do t'u vihen në dispozicion grave dhe vajzave viktima të dhunës në familje dhe me bazë gjinore,filloi më 18 korrik me një takim me banorët e komunës së Shuto Orizarit, ngjarja e parë nga seria e ngjarjeve që do të mbahen në komunitetin lokal gjatë periudhës në vijim.
Kjo fushatë realizohet si pjesë e projektit “Parandalimi dhe mbrojtja nga dhuna me bazë gjinore në Maqedoninë e Veriut” projekt i cili zbatohet nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë – UNFPA, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe financohet nga Ambasada e Britanisë në Shkup.
Veprimtaria e Shuto Orizarit mblodhi përfaqësues nga institucionet e komunitetit lokal – Qendra për Punë Sociale, Ministria e Brendshme dhe sektori joqeveritar, të cilët prezantuan shërbimet, shkëmbenë përvojat dhe inkurajuan të pranishmit të raportojnë dhunën në familje.
“Si punonjës social, kam vënë re se kishte mure të padukshme që duheshin rrëzuar për të dalë nga errësira e dhunës në familje. Si fillim, ne mund t'i shkatërrojmë ato mure me bisedë - me motrat, miqtë, fqinjët tanë”, tha në fjalimin e saj Jasmina Zekir, punonjëse sociale nga Qendra për Punë Sociale në Shuto Orizarë.
Në vijim fjalim dha edhe kryeinspektori në Sektorin e Punëve të Brendshme të stacionit policor vendor Risto Joanovski, i cili tha “Nëse jeni dëshmitare e dhunës apo përjetoni vetë dhunë, policia është aty për ju. Raportojeni dhe ne do të reagojmë”.
Përveç ngjarjeve të organizuara në komunitetin lokal, fushata do të përfshijë edhe promovimin e video materialeve nëpër mediat sociale si dhe në mediat televizive kombëtare, bashkëpunim me figura të shquara të komunitetit, organizim të takimeve me liderët fetarë dhe aktivitete të tjera komunikimi.
Qëllimi i projektit është që të mbështesë Qeverinë dhe institucionet përkatëse në zhvillimin dhe zbatimin e një politike të integruar kundër dhunës me bazë gjinore në përputhje me parimet e Konventës së Stambollit.