UNICEF e shpalosi aplikacionin për prindërim “Bebbo” për mbështetje të prindërve dhe kujdestarëve të fëmijëve të vegjël
Aplikacioni i ri falas për celularë iu ofron prindërve në Maqedoninë e Veriut këshilla të ekspertëve për të gjitha aspektet e shëndetit dhe mirëqenies së fëmijë
Shkup, 6 korrik 2022 - Sot, UNICEF-i, së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, e lëshoi në treg aplikacionin e parë për prindërim “Bebbo”, të krijuar për t’i mbështetur prindërit dhe kujdestarët e tjerë të fëmijëve nga 0 deri në 6 vjeç. Gjatë evenimentit pjesëmarrësit shpalosën diskutime mbi fuqizimin sistematik të shërbimeve për t’i ndihmuar prindërit dhe kujdestarët që t’u japin fëmijëve të tyre një fillim të mbarë, për gjatë gjithë jetës.
“Të qenit prind është një nga punët më të rëndësishme në botë. Çdo prind ka nevojë për mbështetje, ndonëse disa kanë nevojë për pak më shumë mbështetje se të tjerët”, tha Patricia Di Xhovani, përfaqësuese e përhershme e UNICEF-it. “Tani, më shumë se kurrë, kemi nevojë për investime në programe dhe politika në mënyrë që prindërit të kenë kohë të kalojnë me fëmijët e tyre, që do të thotë se do të sigurojnë mjete për ta dhe do t’i mbështesin nevojat e tyre për zhvillim të aftësive prindërore, për të bërë zgjedhjet e duhura dhe për t’u kujdesur për shëndetin dhe mirëqenien e tyre mendore, gjegjësisht për të qenë prindërit sa më të mirë për fëmijët e tyre.”
Programet e prindërimit – duke përfshirë programet e edukimit, shërbimet e vizitave në shtëpi, linjat e ndihmës, shërbimet në komunitet dhe mjetet digjitale - u japin prindërve mbështetjen që u nevojitet për të mësuar këshilla dhe udhëzime praktike për prindërimin pozitiv dhe kujdesin për edukimin dhe për ta mbështetur mirëqenien e tyre dhe shëndetin mendor. Bebbo është një aplikacion falas për mbështetjen e prindërve dhe një mjet shtesë për t’i udhëhequr prindërit dhe kujdestarët në udhëtimin kërkues të prindërimit.
Bebbo u zhvillua nga Zyra e UNICEF-it për Evropë dhe Azi Qendrore, me qëllim që t’u ofrojë prindërve këshilla të ekspertëve për një spektër të gjerë temash, që kanë të bëjnë me shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve, duke filluar nga ushqyerja dhe mëkimi deri te mësimi i hershëm dhe vlera e lojës, prindërimi i përgjegjshëm, mbrojtja dhe siguria e fëmijëve. Njashtu Bebbo përfshin udhëzime specifike për prindërit dhe kujdestarët se si të kujdesen për mirëqenien e tyre.
Gjatë aktivitetit, duke e vlerësuar nevojën për një mbështetje më të gjerë prindërore, ekspertët me prezantimet e tyre e frymëzuan diskutimin për fuqizimin e mbështetjes sistematike për prindërit e fëmijëve të vegjël. Infermieret e patronazhit, mjekët familjarë, edukatoret e kopshteve, punonjësit socialë dhe ekspertët tjerë iu bashkuan diskutimit, duke u fokusuar në përmirësimin e bashkëpunimit ndërsektorial dhe ndërtimin e kapaciteteve dhe aftësive të profesionistëve për ta mbështetur kujdestarinë përkatëse dhe prindërimin e përgjegjshëm. Kjo ishte gjithashtu një mundësi për punëtorët e vijës së parë që të mësohen me Bebbo si një burim shtesë në punën e tyre me prindërit.
Çështjet e ngritura gjatë diskutimit do të kontribuojnë në zhvillimin e një strategjie nacionale të prindërimit dhe fuqizimin e programeve ekzistuese të prindërimit dhe shërbimeve mbështetëse të prindërve.
“Diskutimet e sotme janë të një rëndësie të veçantë për ne, sepse presim të marrim një kontribut të rëndësishëm nga punëtorët e vijës së parë për përgatitjen e Strategjisë Nacionale të Prindërimit. Qëllimi i strategjisë është t’i fuqizojë shërbimet mbështetëse të prindërve, t’i identifikojë burimet dhe iniciativat për t’i përmirësuar aftësitë e prindërimit pozitiv, t’i përmirësojë aftësitë e profesionistëve për t’i promovuar teknikat pozitive të prindërimit dhe qasjen jo të dhunshme ndaj disiplinimit të fëmijëve, si dhe ta mbështesin shëndetin mendor dhe mirëqenien e prindërve dhe të kujdestarëve. Me këtë strategji, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale synon ta promovojë një mjedis pozitiv familjar, në të cilin fëmijët dhe të rinjtë mund të rriten dhe të lulëzojnë, duke e inkurajuar njëkohësisht bashkëpunimin ndërsektorial të shërbimeve për t’i fuqizuar familjet dhe për të ndihmuar në ndërtimin e qëndrueshmërisë së tyre”, tha Jovana Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale.
"Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që kanë vitet e para të jetës dhe mbështetja që ju duhet prindërve për të marrë vendimet e duhura në lidhje me shëndetin e fëmijës së tyre. Shëndetësia dhe sistemet shëndetësore nuk mund dhe nuk duhet të funksionojnë të izoluara nga segmentet e tjera të shoqërisë, sepse janë në ndërveprim të vazhdueshëm reciprok. Bebbo është një shembull i tillë i mbështetjes ndërsektoriale dhe gjithëpërfshirëse të prindërve”, tha Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.
“Prindi është mësuesi i parë i fëmijës. Arsimin e shoh si një cikël rrethor në të cilin përfshihen mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit të cilët do të bëhen edhe prindër të ardhshëm. Prandaj edhe në procesin arsimor nevojitet përfshirja e prindërve në zhvillimin e programit shkollor dhe në këshillat e shkollës", tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.
Në Maqedoninë e Veriut, UNICEF, në partneritet me Institutin për Shëndet Publik, ka punuar ngushtë me partnerë dhe ekspertë të zhvillimit në fëmijëri të hershme për ta zhvilluar versionin në gjuhën maqedonase dhe shqipe dhe për të siguruar që ky aplikacion celular të jetë i përshtatur për përdorim lokal dhe t’i plotësojë nevojat nacionale.
Aplikacioni i zhvilluar me mbështetje financiare të BE-së si pjesë e mbështetjes më të gjerë të UNICEF-it dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në kuadër të iniciativës dyvjeçare parasheh fuqizimin e sistemeve nacionale të shëndetit, arsimit, zhvillimit në fëmijëri të hershme dhe mbrojtjes së fëmijëve, për ta siguruar vazhdimësinë në ofrimin e shërbimeve thelbësore për fëmijët në nevojë dhe familjet e tyre në lidhje me reagimin e menjëhershëm dhe afatgjatë të rimëkëmbjes ndaj KOVID-19 në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.
Shënime për redaktorët në lidhje me “Bebbo”:
Bebbo përfshin veçori, të cilat iu mundësojnë prindërve t’i gjurmojnë momentet kryesore të zhvillimit dhe ta regjistrojnë rritjen, vaksinimet dhe kontrollet shëndetësore si:
Artikujt nga biblioteka e pasur me këshilla të shkruara nga ekspertë, që mbulojnë një spektër të gjerë temash të disponueshme në aplikacion, si largimi i foshnjës nga gjiri (përfshirja e ushqimeve të forta) dhe mësimi i hershëm.
Aplikacioni ofron lojëra – ka shumë ide se si të përfshiheni me fëmijët në ndërveprim përmes lojërave, të cilat do ta stimulojnë të mësuarit dhe zhvillimin. Prindërit do të jenë në gjendje të zgjedhin lojëra, që e mbështesin zhvillimin e aftësive motorike dhe socio-emocionale, gjuhës, komunikimit dhe njohjes.
Gjurmuesi i zhvillimit të fëmijëve - ky instrument është i lehtë për t’u përdorur dhe i ndihmon prindërit ta gjurmojnë dhe ndjekin përparimin e fëmijës së tyre në arritjen e momenteve të rekomanduara për moshën e tij/saj. Aplikacioni do t’i ndihmojë prindërit se si ta mbështesin zhvillimin përmes lojës.
Vaksinimi – prindërit e kanë në dispozicion një dosje të dobishme mbi vaksinimin, në mënyrë që t’i gjurmojnë dhe regjistrojnë lehtësisht vaksinimet e fëmijës së tyre.
Kontrolle shëndetësore – kjo pjesë iu mundëson prindërve të shënojnë informacione nga vizitat e fëmijës së tyre te mjeku, si dhe iu ofron mundësi të vendosin përkujtues për takimet te mjeku.
Rritja e fëmijës – ky mjet u lejon prindërve t’i gjurmojnë matjet e fëmijës së tyre siç është gjatësia dhe pesha.
Bebbo mund të shkarkohet nga Google play dhe App Store në gjuhën maqedonase dhe atë shqipe.