Shërbimet cilësore të patronazhit janë elementi qenësor i kujdesit preventiv shëndetësor
Vlerësimi i ri i funksional e shqyrton organizimin dhe aspektet e resurseve njerëzore të shërbimit të vizitave në shtëpi në Qendrën Shëndetësore të Shkupit
Shkup, 23 qershor 2022: Gjetjet kryesore të vlerësimit funksional, të porositur nga UNICEF, në lidhje me strukturën dhe sfidat organizative të shërbimit të vizitave shtëpiake në rajonin e Shkupit, tregojnë se shërbimi i patronazhit do të përfitojë nga efikasiteti i përmirësuar, me qëllim që t’iu përgjigjet në mënyrë adekuate nevojave të familjeve dhe fëmijëve.
Raporti e thekson nevojën për standarde të qarta profesionale, protokolle dhe përshkrim të punës, personel të ri, mundësi për zhvillim profesional dhe trajnim të vazhdueshëm profesional për t’i shërbyer familjeve me fëmijë përtej kontrollit të shëndetit dhe rritjes.
Profesionistët shëndetësorë nga institucionet e kujdesit shëndetësor primar u mblodhën sot për t’i vërtetuar gjetjet dhe për ta diskutuar rrugën përpara, duke përfshirë zhvillimin e një plani të përmirësimit. Meqenëse analizë në fjalë bazohet në funksionet e institucionit, rekomandimet janë të zbatueshme edhe për shërbimin e patronazhit në pjesët tjera të vendit.
“Përfitimet nga kujdesi i duhur në fazën e parë të jetës së fëmijës janë shkas për shpëtim të jetëve dhe dhe për jetë të gjatë. Kjo është arsyeja është me rëndësi thelbësore të kemi infermiere patronazhi të motivuara, të trajnuara dhe të mirëorganizuar, jo vetëm për t’i ndihmuar familjet me këshilla për shëndetin, rritjen dhe zhvillimin fizik, por edhe për t’i mbështetur ato të zhvillojnë aftësi për prindërim pozitiv dhe ndërtim të lidhjes së sigurt,” tha Patricia Di Xhovani, Përfaqësuese e UNICEF-it.
Raporti thekson se aktualisht, struktura mesatare e moshës së punonjësve në shërbimin polivalent të patronazhit është 50-60 vjeç, që do të thotë se në 5-7 vitet e ardhshme një pjesë e madhe e personelit do t’i plotësojë kushtet për pension, me çka numri i infermiereve të patronazhit do të zvogëlohet ndjeshëm. Pa përpjekje të intensifikuara për ta motivuar stafin e ri për t’iu bashkuar shërbimit të patronazhit, do të vihet në pikëpyetje vetë qëndrueshmëria e patronazhit polivalent.
Për më tepër, infermiereve mjekësore të diplomuar në shkollën e mesme të mjekësisë u mungojnë njohuritë teorike dhe praktike mbi punën e patronazhit, sepse patronazhi nuk përfshihet në lëndët mësimore shkollore dhe në mundësitë për punë praktike. Për t’i ndihmuar infermieret që sa po e kanë mbaruar shkollën e mjekësisë, që të fitojnë njohuri dhe përvojë, analiza funksionale rekomandon futjen e sistemit të mentorimit të bazuar në vendin e punës.
Shërbimi i vizitave në shtëpi duhet të shkojë përtej kontrollit të gjendjes shëndetësore dhe rritjes së fëmijëve. Raporti thekson se bashkëpunimi i sistemit me institucionet e tjera ka nevojë për përmirësim. Lidhjet ndërsektoriale të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor me sektorët e mbrojtjes së fëmijëve dhe arsimit mund të ndihmojnë në identifikimin dhe adresimin e vonesave zhvillimore, paaftësisë, dhunës dhe neglizhencës.
Më konkretisht, bashkëpunimi me Qendrat për Punë Sociale, në kontekstin e shkëmbimit të informacioneve dhe të dhënave, mund të ndihmojë në parandalimin e dhunës dhe neglizhencës dhe prindërimit jofunksional, ndërsa bashkëpunimi me profesionistët që punojnë për zbulimin e hershëm dhe ndërhyrjen e hershme ndaj vonesave në zhvillim, mund të ndihmojë në ofrimin e mbështetjes në kohë për familjet e fëmijëve me aftësi të kufizuara.
Gjithashtu vlerësimi e vuri në pah nevojën urgjente për t’i digjitalizuar proceset dhe për t’i lidhur ato me “Moj termin” (Takimi im) në të gjitha njësitë e infermiereve të patronazhit në vend. Edhe pse sistemi i regjistrimit dhe raportimit është i digjitalizuar dhe modulet janë të inkorporuara në sistemin e-shëndetsisë, prapëseprapë mungesa e burimeve të TI-së ende përbën një sfidë lidhur me përdorimin e tij universal, pasi vetëm 60% të infermiereve të patronazhit e përdorin atë. Digjitalizimi është shumë i rëndësishëm pasi që e përmirëson mbledhjen e të dhënave në kohë reale për gratë shtatzëna dhe të porsalindurit për nevojat e shërbimit të patronazhit, i ndihmon punonjësit shëndetësorë të kenë qasje në të dhënat shëndetësore të pacientëve dhe të dhënat e përgjithshme të statusit social të familjes përpara realizimit të vizitës shtëpiake. Gjithashtu lejojmë futjen e raporteve digjitale për vizitat në familje dhe shkëmbimin e të dhënave të tjera ndër-referuese me institucionet tjera.
Pritet që gjetjet ta formësojnë kuadrin më të gjerë ligjor që e rregullon punën e shërbimit të patronazhit dhe ndihmon në adresimin e sfidave të tilla si mungesa e rregulloreve dhe mjeteve për standardizimin e praktikës së infermiereve të patronazhit.
Hulumtimi është porositur nga UNICEF dhe Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit, ndërsa është realizuar në partneritet me Qendrën për Menaxhimin e Ndryshimeve dhe Qendrën Shëndetësore në Shkup.
Ky aktivitet është pjesë e mbështetjes më të gjerë që UNICEF-i dhe Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit e parashikojnë në kuadër të iniciativës dyvjeçare për t’i forcuar sistemet nacionale të shëndetit, arsimit, zhvillimit në fëmijëri të hershme dhe mbrojtjes së fëmijëve, për të siguruar vazhdimësi në ofrimin e shërbimeve thelbësore për fëmijët e cenueshëm dhe familjet e tyre për rimëkëmbje të menjëhershëm dhe afatgjate ndaj KOVID-19 në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.