Ministri i Shëndetësisë, përfaqësuesit e OKB-së dhe partnerë e vizituan klinikën mobile gjinekologjike në Çeshinovë – Obleshevë
24 shkurt 2022
- Gjatë tre muajve të fundit, klinikat mobile gjinekologjike kanë kryer ekzaminime në disa komuna - Sveti Nikollë, Vrapçishtë, Gradsko, Llozovo, Çashkë dhe Çeshinovë Obleshevë.
SHKUP| 24 shkurt 2022 - Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, përfaqësues të agjencive të OKB-së dhe përfaqësues të trupit diplomatik e realizuan një vizitë në Çeshinovë-Obleshevë për ta parë realizimin e klinikës mobile gjinekologjike të krijuar për ta rritur qasjen në shërbimet gjinekologjike, veçanërisht për gratë më të rrezikuara dhe vajzat në zonat me qasje më të vështirë, të cilat janë prekur më shumë nga pandemia KOVID-19.
Programi i përbashkët “Shërbime të sigurta dhe inovative shëndetësore gjatë pandemisë KOVID-19” në Maqedoninë e Veriut u vërtetua si aktivitet shumë i suksesshëm drejt përmirësimit të qasjes në shëndetin seksual dhe riprodhues, imunizimit dhe shërbimeve për t’i mbështetur viktimat e dhunës me bazë gjinore, si dhe adoleshentët, fëmijët dhe njerëzit nga grupet e cenueshme dhe nga zonat më pak të mbuluara”, delaroi Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë. “Kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e UNFPA-së, UNICEF-it dhe OBSH-së, në koordinim me Zyrën e Koordinatorit të përhershëm të OKB-së, kontributet e Qeverisë në kuadër të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Reagim dhe Rimëkëmbje nga KOVID-19 dhe partnerët nacionalë. Prandaj, sinqerisht ju jam shumë mirënjohës!”
Në tre muajt e fundit, klinikat mobile gjinekologjike deri më tani kanë kryer ekzaminime në disa komuna - Sveti Nikollë, Vrapçishtë, Gradsko, Llozovë, Çashkë dhe Çesinovë Obleshevë. Zbatimi i shërbimeve mobile gjinekologjike mbështetet përmes projektit “Shërbime të sigurta dhe inovative shëndetësore gjatë pandemisë KOVID-19” në Maqedoninë e Veriut, financuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Reagim dhe Rimëkëmbje nga KOVID-19.
"Njëra ndër vlerat më të mëdha të këtij programi ishte aftësia për t’iu përgjigjur shpejt një sërë nevojash të ndërlidhura me shëndetin, shpeshherë drejtpërsëdrejti ndaj atyre në rrezik më të madh dhe në zona më pak të mbuluara”, thotë Rosana Duxhak, Koordinatore e përhershme e OKB-së në Maqedoninë e Veriut. “Madje më i rëndësishëm është fakti se, aktivitetet dhe shërbimet e prezantuara përmes këtij programi të përbashkët janë një investim për të ardhmen, për rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për të gjithë, përtej pandemisë KOVID-19.”
“Shërbime të sigurta dhe inovative shëndetësore gjatë pandemisë KOVID-19 në Maqedoninë e Veriut” është një program i përbashkët, që e ndihmoi qeverisë në përmirësimin e shërbimeve primare shëndetësore në kontekstin e KOVID-19, duke u mbështetur në investimet e rëndësishme veç më të realizuara për ta përforcuar sistemin shëndetin dhe social në nivel të shtetit, për ta izoluar përhapjen e sëmundjeve dhe për ta siguruar përgjigjen shëndetësore ndaj rasteve të ndryshme emergjente.
Programi ka prezantuar disa shërbime inovative shëndetësore, siç janë vizitat e klinikave mobile gjinekologjike në zona të largëta, duke përfshirë regjistrin e imunizimit elektronik, që synon ta përmirësojë mbledhjen e të dhënave dhe llogaritjen e normave të mbulimit të imunizimit, dhe komunikimin e rrezikut me popullatat skeptike ndaj imunizimit, si dhe ndërgjegjësimin e grave dhe vajzave mbi shëndetin seksual dhe riprodhues dhe dhunën me bazë gjinore. Këto shërbime të përmirësuara e trajtojnë uljen e ndjeshme të ofrimit të tyre që nga shpërthimi i KOVID-19, si dhe mundësojnë mbledhjen më efikase në kohë reale të të dhënave përkatëse të politikave për imunizim, duke kontribuar gjithashtu në një mbështetje më të madhe profesionale dhe publike për vaksinim.
Programi i ka në fokus gratë e cenueshme, vajzat adoleshente dhe fëmijët, veçanërisht ato që jetojnë në zona të thella të vendit, të cilët kanë përfituar nga shërbimet e shëndetit seksual dhe riprodhues, imunizimi dhe mbështetja psiko-sociale. Zbatimi i programit filloi në janar të vitit 2021 dhe do të zgjasë deri në mars të vitit 2022, me një buxhet prej 850,000 dollarësh (amerikan) të financuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Reagim dhe Rimëkëmbje nga KOVID-19.
Programi zbatohet bashkërisht nga tre agjenci të OKB-së - Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA), Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), nën koordinimin e Zyrës së Koordinatorit të përhershëm të Kombeve të Bashkuara dhe në partneritet të ngushtë me partnerët kryesorë shtetërorë, duke përfshirë: Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, Drejtorinë e e-Shëndetësisë, Shoqatën e Gjinekologëve dhe Obstetërve, Komitetin për nënë të sigurt dhe të foshnja të shëndetshme, Shoqatën e Mjekëve të Maqedonisë së Veriut, Shoqatën e Infermierëve dhe Mamive të Maqedonisë së Veriut, Klinikën Universitare të Psikiatrisë dhe organizatat e shoqërisë civile.
Ky program i përbashkët është mundësuar falë kontributeve në Fondin e Kombeve të Bashkuara për Reagim dhe Rimëkëmbje nga KOVID-19 nga qeveritë e Norvegjisë, Holandës, Zvicrës, Danimarkës, Suedisë, Republikës së Koresë, Finlandës, Austrisë, Mbretërisë së Bashkuar, Spanjës, Zelandës së Re, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Islandës, Kroacisë, Portugalisë, Tajlandës, Republikës së Sllovakisë, Rumanisë, Kamboxhias, Qipros dhe Filipineve.
Më shumë informacione mund të gjeni në:
https://northmacedonia.un.org/en/170196-safe-and-innovative-health-services-times-covid-19