Klinikat mobile: Kontrolle gjinekologjike pas shumë vitesh
02 mars 2022
Për herë të parë më 1 dhjetor të vitit 2021 një ambulancë mobile gjinekologjike u nis nga Klinika e Gjinekologjisë në Shkup.
Më datën 1 dhjetor të vitit 2021 një ambulancë mobile gjinekologjike u nis nga Klinika e Gjinekologjisë në Shkup, Maqedonia e Veriut, në një rrugëtim përmes vendit, me qëllim të ofrimit të kontrolleve falas për zbulim të hershëm të kancerit në qafën e mitrës te gratë dhe vajzat nga zonat e largëta. Edhe një tjetër ambulancë mobile është vendosur në terren, ashtu që për çdo ditë po ritet numri i grave që kontrollohen. Kontrollet gjinekologjike falas për femra deri më tani janë shtrirë në komunat e Sveti Nikollës, Gradskos, Vrapçishtës dhe Llozovës.
“Meqenëse ende jemi në periudhën e pandemisë, kufizimi, d.m.th mungesa e shërbimeve të shëndetit seksual dhe riprodhues na shtyri të mobilizohemi, pra t’i aktivizojmë klinikat mobile, në mënyrë që të ofrojmë vizita në terren dhe ta shmangim ardhjen e grave në spital në fazë shumë të vonshme. Kjo e zvogëlon rrezikun e transmetimit të infeksioneve, si dhe e përmirëson shëndetin e tyre”, thotë prof. dr. Gligor Tofoski, kryetar i Shoqatës së Gjinekologëve dhe Obstetërve të Maqedonisë së Veriut.
Funksionimi i ambulancave mobile gjinekologjike mbështetet nga Ministria e Shëndetësisë dhe UNFPA (Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë), dhe partnerët tjerë si: Shoqata e Gjinekologëve dhe Obstetërve të Maqedonisë së Veriut (MAGO), Shoqata e Mjekëve të Maqedonisë së Veriut dhe Kryqi i Kuq. Me këtë synohet që vajzat, gratë dhe fëmijët adoleshentë nga grupet e cenueshme dhe në zona të largëta të përfitojnë nga shërbimet e shëndetit seksual dhe riprodhues gjatë kohës së KOVID-19.
Prezenca e ambulancave mobile në qytetin e tyre tashmë e ka rritur interesin e grave për kontrollet preventive gjinekologjike. Vetëm në komunën e Sveti Nikollës janë kontrolluar më shumë se 220 gra. Mes tyre kishte edhe gra që prej vitesh nuk kishin bërë kontrolle. Disa prej tyre, duke marrë parasysh gjetjet, janë udhëzuar që të bëjnë një vlerësim shtesë apo ndërhyrje urgjente në Klinikën Universitare të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës.
Sipas mjekëve, arsyeja e numrit të lartë të pacientëve me kancer në qafën e mitrës në vend është fakti se pavarësisht programeve të depistimit, rreth 40 për qind e grave nuk kanë gjinekolog ose nuk mbulohen nga këto depistime, prandaj zakonisht shumë vonë kërkojnë kujdes mjekësor.
“Pasi e kuptuam se nevoja është e madhe, se ka interes, vazhduam të punojmë në gjetjen e modaliteteve dhe mjeteve shtesë që këto klinika të lëvizshme gjinekologjike të mbeten funksionale dhe ta zgjerojmë më tej fushën tonë të aktivitetit, në mënyrë që të jemi më pranë bashkësive të margjinalizuara dhe të sigurohemi që askush të mos mbetet prapa”, thotë Jovanka Brajovikj - Grigorijevikj, nga UNFPA.
Organizatat partnere i janë bashkuar edhe një fushate të ndërgjegjësimit për domosdoshmërinë e depistimit parandalues dhe zbulimit në kohë të kancerit të qafës së mitrës, e cila filloi në janar, muaji në të cilin shënohet lufta kundër kancerit të qafës së mitrës, por që do të vazhdojë gjatë gjithë vitit. Për këtë qëllim është krijuar dhe promovuar një video spot, i cili është transmetuar në të gjitha televizionet nacionale si dhe në rrjetet sociale, ku janë prezantuar edhe mesazhe për rëndësinë e parandalimit. Motoja e fushatës është “Një kontroll, mund të shpëtojë jetë - Kontrollohuni dhe mbroni veten”.