Përdorimi i të dhënave të mëdha për t‘i gjurmuar flukset e migracionit
Program i Përbashkët “Politikat, planifikimi dhe diskursi mbi migracionin" në Maqedoninë e Veriut.
Si pjesë e Programit të Përbashkët “Politikat, planifikimi dhe diskursi mbi migracionin në Maqedoninë e Veriut, i bazuar në dëshmi” (dizajnuar dhe menaxhuar nga IOM, UNHCR dhe UNFPA, dhe Zyra e Koordinatorit të përhershëm të OKB-së, komponenti i UNFPA-së e trajton aktualitetin e tendencave në rritje të migrimit të jashtëm. Në fokus janë grupet në rritje të migracionit të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut jashtë vendit, të vlerësuara, në fund të vitit 2019, në 658 000 persona ose 32 për qind e popullsisë së përgjithshme në vend. Qasja e ndërmarrë është inovative dhe përfshin mbështetje për zhvillimin e politikave migratore përmes shfrytëzimit të potencialit të të dhënave të mëdha, si një burim i ri, jo tradicional dhe kryesisht i pashfrytëzuar për vlerësimin e grupeve dhe flukseve të migracionit në Maqedoninë e Veriut. Ndonëse institucionet nacionale kanë njohuri në statistikat e përgjithshme të migracionit, nuk ka asnjë burim të integruar të të dhënave, ku këto shifra mund të analizohen tërësisht. Prandaj, burimet tradicionale të disponueshme të të dhënave të migracionit si të dhënat e regjistrimit; anketat e mostrës së bazuar në popullsi (si Hulumtimi mbi buxhetin e amvisërive (HBA), Statistika e të Ardhurave dhe Kushteve të Jetesës (SAKJ), Hulumtimi i Fuqisë Punëtore (HFP) dhe të tjera) dhe burimet administrative, duke përfshirë sistemet nacionale të menaxhimit të informacioneve (SMI) në nivel sektori, shpesh nuk janë të mjaftueshme, ndonëse e njëjta vlen edhe për informacionet që ato i ofrojnë.
Aktivitetet e vazhdueshme në kuadër të komponentit të UNFPA-së synojnë të përfitojnë nga bollëku i informacioneve ekzistues, por ende të fragmentuar dhe jo lehtë të qasshme në të gjitha nivelet, të cilat kërkojnë analiza dhe kryqëzim të fakteve, që synojnë llogaritjen e vlerësimeve të migracionit dhe parashikimin e migrimit dhe tendencave të popullsisë në Maqedoninë e Veriut, duke:
- iu qasur përdorimit të mundshëm të të dhënave të mëdha, siç janë të dhënat gjeo-hapësinore, të dhënat e telefonave celularë, të dhënat e rrjeteve sociale, etj., me potencial për të ofruar vlerësime pothuajse në kohë reale në lidhje me grupet dhe flukset e migrimit, dhe
- duke i eksploruar të dhënat e potencialit të dërgesave në valutë të huaj (remitencave), që i përfaqësojnë kryesisht transferimet financiare private, të marra nga rezidentë të përkohshëm ose të përhershëm jashtë vendit, si një burim në rritje i financimit të jashtëm të ekonomisë shtetërore, që ka ndërlidhje të qartë me migracionin dhe burimin potencialisht të vlefshëm për përpilimin e statistikave të migracionit.
Vlerësimet e migracionit fillimisht do të prodhohen duke përdorur statistika krahasuese – duke zbatuar një kornizë statistikore të bazuar në disa burime të përgjithshme të informacioneve, ose statistika zyrtare mbi migracionin, të raportuara nga vendet e origjinës dhe vendet e destinacionit ose nga një kombinim i burimeve të ndryshme zyrtare dhe burimeve të tjera për një vend të vetëm. Rezultati i pritshëm është prodhimi i vlerësimeve të migracionit me matjet e tyre të gabimit. Kjo do të pasohet nga një fazë tjetër, e cila do ta zgjerojë përgjegjësinë për të përfshirë burime jo tradicionale të të dhënave – gjegjësisht të dhënat e mëdha.
Përdorimi i mundshëm i analitikës së të dhënave të mëdha për vlerësime të tërthorta të migrimit dhe për adresim të boshllëkut midis burimeve tradicionale të të dhënave dhe flukseve aktuale të emigracionit, eksplorohet nga aktivitetet që synojnë përpilimin e burimeve alternative të të dhënave. Procesi përfshin metodologji me shumë hapa, që çon në vlerësime të tërthorta të migrimit.
Aktivitetet e vazhdueshme që synojnë eksplorimin e remitencave në valutë të huaj si lidhja më e prekshme midis migrimit dhe zhvillimit përfshijnë: (1) një skicë dhe analizë krahasuese të dërgesave nga punëtorët migrantë brenda perspektivës së tyre komplekse socio-ekonomike, e cila ofron perspektivë të përgjithshme të këtyre transferimeve personale të rëndësisë makroekonomike për Maqedoninë e Veriut. Remitencat, të përbëra nga transferimet personale ndërmjet familjeve rezidente dhe jorezidente, duke përfshirë kompensimet e punëtorëve dhe transferimet e tjera nga jashtë, janë të hyra të qëndrueshme financiare të regjistruara përmes Sistemit Ndërkombëtar të Raportimit të Transaksioneve (ITRS) në Bankën Popullore të RNM-së. Ato kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të sistemit të bilancit të pagesave, por edhe në mbështetjen e rritjes së vendit si nëpërmjet konsumit, po ashtu edhe nëpërmjet investimeve. Analiza e përshkruan sistemin aktual të mbledhjes së të dhënave dhe opsionet për zhvillimin e programit të mbledhjes së të dhënave për remitencat duke i diskutuar/përzgjedhur qasjet kryesore për marrjen e të dhënave të migracionit. Aktivitetet e vazhdueshme e përfshijnë gjithashtu (2) hartimin e një metodologjie për anketimin e flukseve hyrëse të remitencave përmes kanaleve joformale, dizajnimin e instrumenteve të anketimit dhe angazhimin e një agjencie anketuese për ta realizuar anketimin e amvisërive që pranojnë remitenca në Maqedoninë e Veriut. Një pjesë e remitencave janë regjistruar zyrtarisht përmes operatorëve financiarë në Maqedoninë e Veriut dhe këto statistika janë të disponueshme publikisht në faqen e internetit të Bankës Popullore të RMV-së. Megjithatë, për shkak të dukurisë së zakonshme, që shumë punëtorë migrantë nuk përdorin kanale financiare formale dhe i transferojnë paratë fizikisht, statistikat mbi vëllimin e përgjithshëm të fluksit të remitencave në vend janë nënvlerësuar ndjeshëm. Kjo punë e vazhdueshme pritet të ofrojë disa rekomandime dinamike se si të zgjidhet dikotomia e të dhënave zyrtare për transferimet private të publikuara rregullisht nga Banka Popullore e RMV-së, të cilat janë disa herë më të larta se sa remitancat e punëtorëve, që raportohen zyrtarisht përmes subjekteve financiare. Këto të fundit e përfaqësojnë një hyrje të konsiderueshme financiare, e cila e mbulon në masë të madhe deficitin tregtar në vend.
Ka shumë aspekte pozitive socio-ekonomike dhe makroekonomike të rëndësisë së remitencave, prandaj është e rëndësishme analiza e natyrës, përmasës dhe evolucionit të flukseve të remitencave. Nuk është më pak me rëndësi, roli i tyre potencialisht i rëndësishëm në mbështetjen e përpjekjeve zhvillimore të vendit.