OBSH dhe OKB e promovojnë përdorimin e teknologjive digjitale për përmirësim të shërbimeve të imunizimit në Maqedoninë e Veriut
Pandemia e KOVID-19 e ka nxitur integrimin e shpejtë të teknologjive digjitale në sektorin e shëndetit publik të Maqedonisë së Veriut.
Nga teknologjitë që iu mundësojnë njerëzve qasje më të lehtë në shërbimet e imunizimit, deri te monitorimi i përmirësuar se si politikat ndikojnë në shëndetin e popullatës dhe mënyra më të mira për fuqizimin e fuqisë punëtore shëndetësore si dhe pacientëve, mjetet digjitale kanë hapur një mori mundësish për progres drejt shëndetit universal për të gjithë.
Që nga fillimi i pandemisë, autoritetet nacionale shëndetësore kanë bërë përpjekje për ta zhbllokuar potencialin e plotë të teknologjisë së disponueshme – gjegjësisht për ta përmirësuar mënyrën se si ofrohen shërbimet dhe si menaxhohet sistemi shëndetësor. OBSH-ja dhe OKB-ja në Maqedoninë e Veriut i kanë mbështetur këto përpjekje si pjesë e programit të përbashkët “Shërbime shëndetësore të sigurta dhe inovative gjatë pandemisë KOVID-19 në Maqedoninë e Veriut”, të zbatuar nga UNICEF, OBSH dhe UNFPA, ndërsa të financuar nga Fondi KOVID-19.
Fuqizimi i mbledhjes së të dhënave për të ofruar shërbime të sigurta, inovative dhe cilësore të imunizimit
“Shfrytëzimi i fuqisë së teknologjive digjitale është thelbësor për shërbime shëndetësore më të përgjegjshme, me kosto efektive dhe të formësuar nga të dhënat, si për KOVID-19 ashtu edhe për imunizimin rutinë. OBSH-ja e ka mbështetur futjen e mjeteve digjitale inovative në sektorin e shëndetësisë si pjesë e përpjekjeve të qeverisë për tejkalim të sfidave në planifikim, menaxhimin e logjistikës, administrimin e vaksinimit dhe monitorimin e imunizimit. theksoi dr. Ane Johansen, Përfaqësuesja speciale e drejtorit rajonal në Maqedoninë e Veriut dhe Shefja e zyrës së OBSH-së në vend me seli në Shkup.
Një ndërhyrje digjitale është krijimi i një baze nacionale të të dhënave elektronike të imunizimit, të ndërlidhur me të dhënat nacionale elektronike të shëndetit, për të siguruar të dhëna të sakta dhe në kohë lidhur me imunizimin. Regjistri elektronik i imunizimit (REI) u përditësua për ta përfshirë regjistrimin e vaksinave kundër KOVID-19 nga të dhënat individuale të pacientëve, ndërsa të dhënat për imunizimin e fëmijëve dhe të porsalindurve u futën në mënyrë retroaktive në REI nga kartat e imunizimit të shënuara në formë të shtypur.
U prezantuan edhe mjete të tjera për t’i përmbushur nevojat e popullsisë, si qasja më i lehtë në Certifikatën nacionale të imunizimit për KOVID-19 përmes një portal në internet dhe dërgimi i njoftimit për prindërit, që të kthehen me fëmijët e tyre për vaksinime përmes një sistemi të njoftimit masiv.
Fuqizimi i mbledhjes së të dhënave si për KOVID-19, po ashtu edhe për imunizimin rutinë, hap mundësi për monitorim, koordinim dhe planifikim dhe vendimmarrje më të mirë të bazuar në prova. Në të njëjtën kohë, modernizimi i përgjithshëm i procesit të imunizimit ndihmon në reduktimin e detyrave administrative, duke iu lejuar punonjësve shëndetësorë t’i vënë pacientët në plan të parë dhe t’i kushtojnë më shumë kohë cilësore kujdesit ndaj pacientëve.
Përdorimi i potencialit të teknologjisë për përmirësim të mësimit profesional
Si një nga burimet më të besueshme të informacioneve, punonjësit shëndetësorë luajnë rol qenësor në arritjen e numrit të lartë të shtrirjes së vaksinimit. Qëndrimet dhe njohuritë e tyre rreth imunizimit mund të ndikojnë shumë në vendimet e pacientëve të tyre lidhur me vaksinimin. Sigurimi i burimeve dhe mjeteve të njohurive për profesionistët shëndetësorë ua mundëson atyre mjetet dhe besimin për të qenë më efektivë në punën e tyre dhe për të ndihmuar në arritjen e shtrirjes së lartë të vaksinimit.
Përdorimi i teknologjive digjitale për informim dhe trajnim të punonjësve të kujdesit shëndetësor është një nga mënyrat më të mira për t’i përforcuar aftësitë e tyre profesionale.
“OBSH në Maqedoninë e Veriut ka zhvilluar pako elektronike të trajnimit për t’i pajisur punonjësit e kujdesit shëndetësor me aftësi dhe njohuri të reja mbi imunizimin dhe për t’i ndihmuar ata të jenë të suksesshëm, që në atë mënyrë ta forcojnë sistemin nacional shëndetësor për të mirën e të gjithë popullatës”, vuri në dukje dr. Johansen.
Rreth 60 menaxherë të programeve të imunizimit nga i gjithë vendi u trajnuan për planifikimin, menaxhimin, monitorimin dhe vlerësimin e sistemit të imunizimit. Përveç kësaj, 340 punonjës të kujdesit shëndetësor u trajnuan për deponimin dhe transportimin e vaksinat në ambient të ftohtë, mundësimin e imunizimit, mikroplanifikimin për qasje në çdo komunitet, menaxhimin e një seance imunizimi, monitorimin, mbikëqyrjen dhe partneritetin me komunitetet.
Gjithashtu në gjuhët lokale u përshtatën edhe kurset e akredituara të trajnimit të OBSH-së së hapur (OpenWHO) në lidhje me KOVID-19 dhe vaksinimin. Njohuritë e marra nga këto kurse i ndihmojnë punonjësit e kujdesit shëndetësor ta përmirësojnë cilësinë e shërbimeve të imunizimit, të shkëmbejnë praktika inovative të vaksinimit me kolegët e tyre dhe ta promovojnë shtrirjen e vaksinimit te pacientët e tyre.
Rruga përpara
“Integrimi i teknologjive digjitale në sistemin shëndetësor mund t’i përmirësojë mënyrat e ofrimit të shërbimeve shëndetësore dhe të sjellë përfitime afatgjata. Në perspektivë, këto aktivitete do ta mundësojnë rritjen e shtrirjes së vaksinimit si për vaksinat e rregullta ashtu edhe për ato kundër KOVID-19”, përfundoi dr. Johansen.
OBSH do të vazhdojë ta mbështesë përgjigjen dhe rimëkëmbjen e Maqedonisë së Veriut ndaj KOVID-19, duke përfshirë përdorimin e digjitalizimit për ndikim maksimal në shëndetin e popullsisë.
"Shërbimet shëndetësore të sigurta dhe inovative gjatë KOVID-19 në Maqedoninë e Veriut” është një program i përbashkët që synon ta përmirësojë qasjen në shërbimet e mbështetjes për shëndetin seksual dhe riprodhues, imunizimin dhe shërbimet e mbështetjes së grave në lidhje me dhunën mbi bazë gjinore, gjegjësisht shërbimet për vajzat adoleshente dhe fëmijët, me një fokus të veçantë në popullsinë më të cenueshme në zonat e thella dhe pa qasje në shërbime. Aktivitetet zbatohen bashkërisht nga UNICEF-i, OBSH-ja dhe UNFPA-ja dhe janë mundësuar nga kontributet në Fondin e përgjigjes dhe rimëkëmbjes së OKB-së nga qeveritë e Norvegjisë, Holandës, Zvicrës, Danimarkës, Suedisë, Republikës së Koresë, Finlandës, Austrisë, Mbretërisë së Bashkuar, Spanjës , Zelandës së Re, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Islandës, Kroacisë, Portugalisë, Tajlandës, Republikës së Sllovakisë, Rumanisë, Kamboxhias, Qipros dhe Filipineve.