Avancimi i përfshirjes së aftësisë së kufizuar në fuqizimin e zhvillimit të qëndrueshëm
* Pavarësisht progresit të bërë, duhet bërë shumë për të avancuar të drejtat e personave me aftësi të kufizuara veçanërisht në kohë krizash të paprecedentë.
Në Samitin e dytë Global të Aftësisë së Kufizuar të zhvilluar në muajin në shkurt qeveritë, organizatat ndërkombëtare, ato rajonale dhe shtetërore, personat me aftësi të kufizuara dhe shoqëria civile i vlerësuan të arriturat dhe u përkushtuan për të bërë më shumë në drejtim të avancimit të përfshirjes së aftësisë së kufizuar në mbarë botën.
Ekipi i OKB-së në vend i është bashkuar kësaj përpjekjeje globale. Së bashku me partnerët e saj, OKB-ja ka reflektuar mbi përpjekjet e saja të kaluara dhe të vazhdueshme në mbështetjen e zhvillimit gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm në Maqedoninë e Veriut dhe në këtë drejtim ka nisur disa iniciativa të reja. Duke punuar ngushtë me Qeverinë, institucionet e pavarura të të drejtave të njeriut, personat me aftësi të kufizuara dhe organizatat e tyre përfaqësuese (OPAK), si dhe me shoqërinë civile në përgjithësi, OKB-ja e ka mbështetur krijimin dhe zbatimin e reformave sistematike, me qëllim që personat me aftësi të kufizuara t’i gëzojnë të njëjtat standarde të barazisë dhe të drejtave si çdo anëtar tjetër i shoqërisë.
Në bazë të informacioneve mbi qëndrimet e personave me aftësi të kufizuara, agjencitë e OKB-së kanë kontribuar në politikat dhe ndërhyrjet e përgjithshme dhe specifike për aftësinë e kufizuar në shumë sektorë. Fuqizimi dhe pjesëmarrja e personave me aftësi të kufizuara ka qenë parimi kryesor në të gjitha veprimet, në përputhje me Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (KDPAK) dhe zotimet për Agjendën 2030 dhe OZHQ-të.
Sot shkollat po bëhen më gjithëpërfshirëse, po mbyllen institucionet në shkallë të gjerë për fëmijët me aftësi të kufizuara pa kujdes prindëror, kurse në rrjedhë e sipër është procesi i deinstitucionalizimit. Një sërë mbështetjesh individuale dhe shërbimesh të bazuara në komunitet janë krijuar për t’i përmbushur nevojat dhe mundësitë e tyre shëndetësore, sociale, arsimore dhe ato të punësimit, duke përfshirë edhe fushën e shëndetit seksual dhe atë riprodhues. OKB-ja po përpiqet t'i bëjë këto shërbime më të ndjeshme ndaj aftësisë së kufizuar, gjinisë, moshës dhe kulturës, dhe më të balancuara për nga pikëpamja gjeografike dhe etnike dhe të përshtatura për grupet e cenueshme dhe të margjinalizuara.
Shumica e këtyre aktiviteteve janë realizuar përmes programit të parë të përbashkët të financuar nga Partneriteti i OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (PDPAK i OKB-së) gjatë periudhës 2018-2020. Përfshirja e aftësisë së kufizuar dhe të drejtave ngelin prioritet i OKB-së, andaj këto përpjekje do të vazhdojnë me programin e dytë të përbashkët përgjatë viteve 2022-2024. OKB-ja do t’i mbështesë ndërhyrjet e politikave në arsim (vlerësimi i hershëm i funksionalitetit), analizat e financimit, mbrojtjes sociale, qasjes në tregun e punës dhe përfshirjen e shërbimeve të shëndetit seksual dhe riprodhues me ndjeshmëri ndaj aftësisë së kufizuar dhe dhunës mbi bazë gjinore. Personat me aftësi të kufizuara do të fuqizohen vazhdimisht për t’i gëzuar të drejtat e tyre dhe për të marrë pjesë në vendimet, që ndikojnë në jetën e tyre për të jetuar të pavarur, veçanërisht ata që kanë më shumë të ngjarë që të ngelin pas.
Krijimi i kornizës nacionale të monitorimi ndërmjet Avokatit të Popullit dhe personave me aftësi të kufizuara, OPAK-ve dhe shoqërisë civile është një tjetër moment historik, i mbështetur nga OKB-ja, që do të nxisë zbatimin e KDPAK-së në vend. Ky mekanizëm i ri institucional, i nisur në prill të vitit 2021, e përforcon mundësitë për pjesëmarrje kuptimplote dhe efektive të personave me aftësi të kufizuara në promovimin dhe monitorimin e të drejtave të tyre.
Në fillim të marsit, së bashku me Avokatit të Popullit e Maqedonisë së Veriut, OKB-ja ishte nikoqire e Konferencës rajonale, në të cilën u bë thirrje për dialog mbi mekanizmat e pavarura të monitorimit të KDPAK-së. Më shumë se 120 përfaqësues nga institucionet shtetërore për të drejtat e njeriut, lëvizjet për personat me aftësi të kufizuar dhe shoqëria civile në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe Evropë, si dhe Komiteti i KDPAK-së dhe sistemi për zhvillim i OKB-së ndanë përvoja dhe praktika të mira, si dhe shfaqën modele të ndryshme të përfshirjes dhe angazhimit të personave me aftësi të kufizuara dhe OPAK-ve në procesin e monitorimit. Në këtë konference u përcoll një mesazh i fortë se duke punuar së bashku më shumë dhe më afër, shoqëritë tona mund të bëhen më gjithëpërfshirëse.
Pavarësisht progresit të shënuar, duhet bërë shumë për t’i avancuar të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, veçanërisht në kohë krizash të papara më herët. Në këtë drejtim unë shoh tre prioritete.
Së pari, kemi nevojë për më shumë zhvillim gjithëpërfshirës të aftësisë së kufizuar. Personat me aftësi të kufizuara kanë ngelë në masë të madhe të padukshëm në rrjedhat kryesore të shoqërisë, ata vazhdojnë të përballen me barriera dhe janë të ekspozuar ndaj stigmës dhe dhunës.
Së dyti, kemi nevojë për një bashkëpunim më të gjerë dhe më të thellë. Vetëm duke punuar së bashku - në të gjithë qeveritë, organizatat ndërkombëtare, shoqërinë civile dhe sektorin privat - mund t’i zbatojmë në mënyrë efektive angazhimet për KDPAK-në dhe zotimet e Agjendës 2030.
Së treti, nevojitet të përfshihen persona me aftësi të kufizuara. Në çdo veprim që bëjmë duhet ta përfshijmë thirrjen e tyre të fuqishme “Pa ne, asgjë për ne”.