Punonjësit shëndetësor – burimi primar i informacioneve të besueshme mbi imunizimin e fëmijëve
Ndërveprimi i mirë midis punonjësve shëndetësorë dhe kujdestarëve të fëmijëve mund ta bëjë dallimin.
Shkup, 26 prill 2022: UNICEF dhe Ministria e Shëndetësisë në partneritet me Shoqatën e Mjekëve të Maqedonisë së Veriut dhe Shoqatën e Infermiereve dhe Mamive të Maqedonisë së Veriut mbështesin një sërë punëtorish trajnimi për t’i shtuar njohuritë, ndërtuar aftësitë dhe qëndrimet e punonjësve të kujdesit shëndetësor të vijës së parë për të komunikuar në mënyrë efektive me prindërit dhe kujdestarët mbi imunizimin gjatë fëmijërisë.
Hulumtimet globale tregojnë se cilësia e ndërveprimit midis punonjësve shëndetësorë dhe kujdestarëve është faktor parësor për kompletimin e listës së vaksinimit, veçanërisht në rastin e prindërve hezitues. Punonjësit shëndetësorë të vijës së parë janë ndër burimet më me ndikim të informacioneve mbi krijimin e qëndrimit ndaj vaksinave, si dhe janë urë bazë midis komuniteteve, të cilave iu shërbejnë dhe shërbimeve shëndetësore, që i ofrojnë dhe mbështesin. Meqenëse e kanë këtë rol dhe pozicion, praktikimi i komunikimit të mirë ndërpersonal është çelës për të siguruar, që prindërit të kenë informacione të besueshme, të cilat janë shtytës kryesor për përmirësimin e shtrirjes së imunizimit.
Hulumtimi i fundit i UNICEF-it mbi vetë-efikasitetin, qëndrimet dhe perceptimet e punonjësve të kujdesit shëndetësor për imunizimin rutinë të fëmijëve në Maqedoninë e Veriut tregon se në 24 muajt e fundit ekipet e vaksinimit kanë qenë dëshmitarë të përvojave të hezitim të prindërve për vaksinimin e fëmijëve të tyre (31%). Gjithashtu hulumtimi tregon se komunikimi ndërpersonal për imunizimin është bërë më sfidues. Megjithatë, në të njëjtën kohë, shumica dërrmuese e kujdestarëve të fëmijëve të vegjël i përmendin punonjësit shëndetësorë si burimin e tyre kryesor të informacioneve rreth imunizimit. Trajnimi është realizuar me qëllim që të mbyllet boshllëku, në mënyrë që punonjësit shëndetësor jo vetëm që do të ofrojnë informacione të saktë për vaksinat, por edhe do të komunikojnë për ta ndërtuar besimin dhe për t’iu shfaqur ndjeshmëri dhe mirëkuptim prindërve rreth shqetësimeve të tyre.
Përveç mbështetjes së punonjësve shëndetësorë për t’i dalluar llojet e ndryshme të hezitimit të prindërve dhe kujdestarëve ndaj vaksinave dhe për t’iu ofruar atyre këshilla se si t’ua përcjellin këshillat e personalizuara prindërve në mënyrë që ata të marrin vendime të informuara, në mënyrë që fëmija i tyre të jetë i mbrojtur, trajnimi në fjalë është projektuar me qëllim që t’i adresojë boshllëqet e njohurive në mesin e punonjësve shëndetësorë. Trajnimi fokusohet në katër fusha kryesore:
- përcaktimin dhe zbatimin e parimeve kryesore të komunikimit ndërpersonal për të komunikuar rreth imunizimit me kujdestarët e fëmijëve nën 5 vjeç;
- mësimin dhe praktikën e aftësive për dëgjim dhe përfshirje në biseda, që e synojnë rritjen e marrjes së vaksinave;
- përmirësimin e besimit dhe aftësisë së punonjësve shëndetësorë për t'iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave dhe shqetësimeve të kujdestarëve në lidhje me sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës, duke u bazuar në prova, dhe
- përdorimin e komunikimit të bazuar në dialog, me qëllim të rritjes së shkallës së imunizimit.
Deri më tani UNICEF-i ka mbështetur 10 punëtori, duke arritur në 244 punonjës shëndetësorë të vijës së parë. Deri në fund të vitit, pritet që një grup prej 1000 profesionistësh shëndetësorë të pajisen me njohuri dhe aftësi për ta praktikuar një komunikim të mirë ndërpersonal mbi imunizimin rutinë.
Modulet për pjesëmarrësit e trajnimit të komunikimit ndërpersonal mbi imunizimin dhe doracakut për pjesëmarrësit janë zhvilluar nga Qendra për Programet e Komunikimit “Xhon Hopkins” dhe Zyra Rajonale e UNICEF-it për Evropë dhe Azi Qendrore.