Telemjekësia ndihmon në ndërtimin e sistemit më të qëndrueshëm të mbrojtjes shëndetësore
UNICEF i ndihmon mjekët amë t'i avancojnë njohuritë mbi shërbimet shëndetësore të telemjekësisë, parasëgjithash të dedikuar për fëmijët dhe familjet vulnerabile
Shkup, 25 korrik 2022: UNICEF-i dhe Ministria e Shëndetësisë në partneritet me Shoqatën e Mjekëve të Maqedonisë mbështesin një sërë seminaresh trajnimi për t’i ndërtuar njohuritë dhe aftësitë e mjekëve familjarë në përdorimin efektiv të teknologjisë për të ofruar kujdes shëndetësor nga distanca. Telemjekësia është praktika mjekësore, kur mjeku nga një vend përdor një infrastrukturë telekomunikuese për të ofruar kujdes për një pacientin, i cili gjendet në një vend të largët.
Kjo nismë synon të ofrojë alternativë në raport me konsultimet tradicionale, shëndetësore sy më sy, në rastet kur prania fizike nuk është e mundur ose nuk është e nevojshme, si dhe synon ta rrisë qasjen e barabartë në shërbimet e kujdesit shëndetësor pavarësisht vendndodhjes së familjeve.
Gjatë pandemisë KOVID-19 familjet u përballën me ndërprerje masive të kujdesit shëndetësor, qoftë drejtpërdrejt si rezultat i shpërthimit të sëmundjes infektive, ashtu edhe tërthorazi për shkak të masave të shëndetit publik për ta zbutur përhapjen e virusit. Kjo shpiu në një ulje të ndjeshme të ofrimit të shërbimeve shëndetësore për fëmijët dhe familjet. Teknologjia digjitale dhe modelet e reja të kujdesit janë përdorur me shpejtësi në shumë vende për t’i adresuar këto sfida të pandemisë dhe janë provuar të jenë efikase për të siguruar që sistemet shëndetësore të jenë elastike ndaj ndërprerjeve të ardhshme.
Duke pranuar faktin se ndërhyrjet shëndetësore digjitale nuk janë zëvendësim për sistemet shëndetësore funksionale, telemjekësia është kryesisht e dobishme në ofrimin e shërbimit të kujdesit shëndetësor për ata që jetojnë në zona të largëta dhe të pambrojtur, veçanërisht familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara dhe familjet në rrezik. Pra telemjekësia mund të ndihmojë në parandalimin e udhëzimit të panevojshme të pacientëve midis niveleve të ndryshme të shërbimit shëndetësor, ta zvogëlojë barrën në sistemin e kujdesit shëndetësor përtej pandemisë KOVID-19, t’i kursejë familjet nga vështirësitë financiare të udhëtimit për të marrë shërbime dhe t’i shmangë dhomat e pritjes të mbushura me njerëz. Megjithatë, telemjekësia nuk shërben për t’i zëvendësuar konsultimet ballë për ballë, por për t’i plotësuar ato.
Deri më tani rreth 150 mjekë familjarë kanë marrë pjesë në seminare të fokusuara në tri fusha kryesore: parimet kryesore të telemjekësisë; zhvillimi i aftësive për të komunikuar në mënyrë efektive me pacientët në distancë; dhe përdorimi praktik i modulit të telemjekësisë përmes sistemit elektronik shtetëror “Moj termin” (Takimi im).
Punëtoritë janë të akredituara dhe të certifikuara nga Oda e Mjekëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe pas përfundimit të suksesshëm, mjekët familjarë do të mund ta regjistrojnë evidencën shëndetësore përmes softuerit të zhvilluar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në opsionin e telemjekësisë në “Moj termin”. Deri në fund të vitit, pritet që 70% e mjekëve familjarë t’i avancojnë kapacitetet e tyre për të ofruar shërbime të telemjekësisë për fëmijët dhe familjet e tyre.
Komponenti i programit të Telemjekësisë është pjesë e mbështetjes më të gjerë të UNICEF-it për Ministrinë e Shëndetësisë dhe financohet nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar.