Integrimi gjinor për reformat në lidhje me BE-në në Maqedoninë e Veriut
Pse integrimi gjinor është i rëndësishëm në procesin e anëtarësimit në BE për vendet si Maqedonia e Veriut?
Integrimi gjinor është aspekt i rëndësishëm që duhet të adresohet në vendet kandidate në BE gjatë procesit të anëtarësimit. Barazia gjinore kërkohet nga traktatet e BE-së dhe është parimi kryesor sipas Shtyllës Evropiane të të Drejtave Sociale. BE-ja ka për qëllim, gjithashtu, të arrijë objektivin e integrimit gjinor në 85% të aktiviteteve të saj të jashtme, duke e bërë integrimin gjinor kërkesë eksplicite dhe obligim të përgjithshëm në procesin e anëtarësimit në BE dhe proceset e reformave përkatëse.
Për ta siguruar këtë për Maqedoninë e Veriut, zyra e UN Women në vend është partnere me Sekretariatin për Çështje Evropiane (SÇE) dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale të Maqedonisë së Veriut (MPPS), dhe gjithashtu bashkëpunon ngushtë me Entin Shtetëror të Statistikave, për projektin Qendra për Barazinë Gjinore (GEF). Projekti realizohet me mbështetjen financiare nga Suedia.
Projekti punon në nivel qendror për t'i rritur kapacitetet dhe aftësitë afatgjata të personelit kryesor të qeverisë me mandat për integrimin evropian dhe barazinë gjinore, në mënyrë që objektivat e barazisë gjinore të reflektohen gjithnjë e më shumë në proceset e planifikimit dhe politikave në vend.
Në qershor 2022, UN Women Maqedonia e Veriut organizoi eveniment për rrjetëzimin me titull "Hapat e përbashkët drejt avancimit të Instrumentit të Barazisë Gjinore - GEF". Si mbledhja e parë e madhe e faktorëve kryesorë të projektit - anëtarëve të grupeve punuese sektoriale, strukturave kombëtare të IPA-s, koordinatorëve të barazisë gjinore, Delegacionit të Bashkimit Evropian në vend dhe Ambasadës së Suedisë si donator i projektit, evenimenti ofroi hapësirë për dialog dhe sesione interaktive, duke u fokusuar në mënyrën se si të arrihen objektivat e projektit përmes ndërtimit të kapaciteteve, produkteve të njohurive dhe rrjetëzimit.
Diskutimi, ndër të tjera, u fokusua në sfidat dhe mundësitë për integrimin gjinor në funksionimin e përditshëm të administratës publike dhe mënyrat për të përmirësuar situatën e tanishme. Më konkretisht, disa nga konkluzionet, sfidat dhe zgjidhjet e mundshme të shprehura nga pjesëmarrësit ishin:
- ekziston nevojë e vazhdueshme që barazia gjinore të jetë më e lartë në axhendë dhe të trajtohet më shumë në mënyrë sistematike;
- ndërtimi i vazhdueshëm i kapaciteteve për makinerinë gjinore në vend është parakusht për zgjidhje të qëndrueshme në integrimin gjinor;
- duhet të futet “Koordinator për mundësi të barabarta” si pozicion i veçantë në sistematizimin e institucioneve shtetërore. Sipas situatës së tanishme, kjo është vetëm detyrë shtesë për një pjesë të personelit ekzistues, duke krijuar rrezikun e përpjekjes së pastandardizuar, kryesisht në bazë të vullnetit personal dhe gatishmërisë së personelit të emëruar nëpër institucione;
- duhet të ofrohet trajnimi relevant dhe i vazhdueshëm, si dhe mbështetja dhe motivimi i shtuar për të gjithë palët e interesuar;
- të dhënat mbi gjinitë janë me rëndësi thelbësore dhe të gjithë palët e interesuar duhet të jenë të vetëdijshëm në punën e tyre se si t'i mbledhin, analizojnë dhe përdorin të dhënat;
- nevojitet mbështetje praktike dhe jo vetëm mbështetje deklarative, veçanërisht nga eshaloni më i lartë politik ku miratohen vendimet.
Në eveniment u prezantuan edhe konstatimet fillestare të të dyja vlerësimeve të nevojave për trajnim, të kryera së fundmi nga personeli i GEF-së. Pra, vlerësimi i kapaciteteve për integrimin gjinor në proceset e planifikimit në lidhje me Programin Kombëtar për Miratimin e së Drejtës (NPAA) e konfirmoi nevojën (dhe zbrazëtirat specifike të njohurive) për Mekanizmat Kombëtarë Gjinorë (Departamenti për Mundësi të Barabarta dhe Koordinatorët e Mundësive të Barabarta / Pikat Fokale Gjinore) për të rritur kapacitetet administrative për NPAA dhe për të zbatuar legjislacionin dhe politikën e BE-së për barazinë gjinore në përputhje me rregullativat e BE-së dhe obligimet ndërkombëtare.
Së dyti, konstatimet fillestare nga vlerësimi i kapacitetit për integrimin gjinor në proceset në personelin e Instrumentit për Asistencën e Para-Aderimit (IPA) i konfirmojnë zbrazëtirat e njohurive të vetë-raportuara mbi politikat gjinore dhe integrimin gjinor dhe interesin e lartë për trajnimet mbi proceset e IPA-së midis anëtarëve të njësive të IPA-së dhe Grupeve Punuese Sektoriale.
Konstatimet nga vlerësimet e nevojave për trajnim e udhëzojnë mbështetjen e mëtejshme të GEF-së për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut në transpozimin e së drejtës së BE-së për barazinë gjinore si pjesë e axhendës së anëtarësimit në BE. Projekti, gjithashtu, synon të arrijë rezultate të barazisë gjinore në përputhje me Axhendën 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, veçanërisht SDG 5: Arritja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i të gjitha grave dhe vajzave.