DEKLARATA E SHKUPIT I HAP RRUGËN QEVERISJES SË QËNDRUESHME TË MIGRACIONIT NË BALLKANIN PERËNDIMOR
Foto e përbashkët e Ministrave dhe Drejtorit Gjeneral të IOM-it © IOM Western Balkans, 2022
Më 15 dhe 16 nëntor, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut dhe ajo e Republikës Çeke, nën kryesimin e Këshillit të Bashkimit Evropian ishin nikoqir të konferencës “Qeverisja e qëndrueshme e migracionit në Ballkanin Perëndimor” në Shkup, Maqedoni e Veriut, e cila u organizua me mbështetjen e Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, IOM.
Fjalë hyrëse mbajtën Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Maqedoninë e Veriut, Rossana Dudziak, Drejtori Gjeneral i IOM-it, Antonio Vitorino, si dhe Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës Çeke, Vit Rakusan, si dhe Komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi iu drejtuan pjesëmarrësve përmes platformës virtuale.
Përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor u angazhuan për forcimin e bashkëpunimit për të trajtuar kontrabandën e migrantëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore, veçanërisht duke rritur qasjen e migrantëve në rrugët e rregullta dhe duke nxitur përfshirjen sociale, duke nënshkruar Deklaratën e Shkupit në konferencën për Qeverisjen e Qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor. Ata gjithashtu u zotuan të punojnë së bashku drejt menaxhimit gjithëpërfshirës të kthimit për të përmirësuar praktikat dhe procedurat e kthimit, ripranimit dhe riintegrimit të bazuara në të drejtat dhe proceset.
“Unë largohem nga rajoni sot i sigurt se përmes Deklaratës së Shkupit, ne ishim në gjendje të vendosnim tonin për një vështrim gjithëpërfshirës të qeverisjes së migracionit në Ballkanin Perëndimor dhe të gjenim një qasje të orientuar drejt zgjidhjeve për të trajtuar migracionin në një mënyrë njerëzore dhe të rregullt. IOM-i është i përkushtuar të ndihmojë partnerët në rajon për t'i përkthyer këto angazhime të rëndësishme në veprime të bashkërenduara dhe konkrete përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe të gjithë shoqërisë”, tha Antonio Vitorino, Drejtor Gjeneral I IOM-it.
“Sistemet ndërvepruese janë thelbësore për të vazhduar punën tonë dhe për të krijuar sisteme të qëndrueshme dhe koherente të menaxhimit, duke përfshirë identifikimin e migrantëve. Lidhjet praktike në mes të rajonit dhe sistemeve të BE-së janë gjithashtu të nevojshme për menaxhimin efektiv të migracionit, veçanërisht përmes menaxhimit gjithëpërfshirës të kufijve dhe programit të ripranimit”, tha Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Konferenca mblodhi së bashku partnerët e Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të shteteve fqinje-anëtare të BE-së, dhe Bashkimit Evropian, organizata ndërkombëtare dhe akademi për të identifikuar mënyrat për menaxhim efektiv të migracionin në Ballkanin Perëndimor.
Drejtori Gjeneral i IOM-it, António Vitorino, takohet me Presidentin Pendarovski © Pretsedatel, 2022
Në kuadër të konferencës dhe gjatë vizitës së tij zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Drejtori Gjeneral i IOM-it, Antonio Vitorino, u takua me Presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, për të diskutuar çështje të ndërlidhura me menaxhimin e migracionit dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe IOM-it.