Është hapur qendra e shëndetit mendor me bazë në komunitet në Koçan
Është inauguruar zyrtarisht Qendra e re e Shëndetit Mendor me Bazë në Komunitet në Koçan, duke rritur qasjen e qytetarëve në shërbimet e shëndetit mendor.
Në evenimentin e hapjes, fjalë të shkurtra mbajtën Dr. Bekim Sali, Ministër i Shëndetësisë dhe Dr. Ane Johansen, Përfaqësuese Speciale dhe Shefe e Zyrës së OBSH-së.
“Qendra do të funksionojë 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë për të ofruar kujdes dhe mbështetje të vazhdueshme të shëndetit mendor të bazuar në komunitet për qytetarët, përfshirë shërbimet e krizës. Është krijuar për të krijuar një strukturë dhe mjedis ku personat me çrregullime mendore mund të ruajnë marrëdhëniet familjare, miqësitë dhe punët gjatë trajtimit”, tha ministri Sali. “Në periudhën e ardhshme qendra të tilla do të hapen edhe në Manastir, Kumanovë dhe Shtip”.
Ndonëse në të kaluarën e afërt në Maqedoninë e Veriut është bërë përparim i rëndësishëm në fushën e shëndetit mendor, pandemia COVD-19 ka tensionuar sistemin shëndetësor në mënyra të paprecedentë dhe ka shkaktuar ndërprerje të shumë shërbimeve thelbësore shëndetësore, përfshirë ato për shëndetin mendor.
“Pandemia e COVID-19 ka krijuar një krizë globale për shëndetin mendor, duke rritur streset afatshkurtra dhe afatgjata dhe duke dëmtuar shëndetin mendor të miliona njerëzve në mbarë botën, përfshirë Maqedoninë e Veriut”, tha Dr Johansen. “Nevoja për të përmirësuar shërbimet e shëndetit mendor është tani më evidente se kurrë. Me themelimin e këtyre qendrave dhe forcimin e kujdesit për shëndetin mendor të bazuar në komunitet në qendrat tashmë të krijuara, ne kemi një mundësi për të bërë përparim domethënës drejt shëndetit më të mirë mendor për popullatën e Maqedonisë së Veriut.
Krijimi i rrjeteve të shërbimeve të ndërlidhura të bazuara në komunitet është një hap i rëndësishëm drejt garantimit që secili të ketë një mundësi për të qasje në kujdesin e shëndetit mendor që i nevojitet.
“Fatkeqësisht, stigma dhe diskriminimi vazhdojnë të jenë pengesë për përfshirjen sociale dhe qasjen në shërbimet e duhura të kujdesit për shëndetin mendor. Ne i bëjmë thirrje të gjithëve që të kërkojnë ndihmë, nëse është e nevojshme.” tha Dr Stojan Bajraktarov, pikë kontaktuese e OBSH-së në fushën e shëndetit mendor dhe kryetar i Komisionit të shëndetit mendor në Ministrinë e Shëndetësisë.
Forcimi i shërbimeve të shëndetit mendor të bazuara në komunitet dhe hapja e mëtejshme e qendrave shtesë të shëndetit mendor me bazë komunitare është paraparë në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Promovimin e Shëndetit Mendor në Republikën e Maqedonisë së Veriut (2018-2025). E miratuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut në vitin 2017, Strategjia parasheh decentralizimin e kujdesit për shëndetin mendor si një nga fushat prioritare. Në periudhën në vijim, Ministria e Shëndetësisë me mbështetjen e agjencive të OKB-së, OBSH-së, UNICEF-it dhe UNFPA-së do të fokusohet edhe në fushën e forcimit të shërbimeve të shëndetit mendor për fëmijët dhe adoleshentët..
Veprimtaria u organizua pikërisht në prag të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor e cila shënohet çdo vit më 10 tetor. Dita Botërore e Shëndetit Mendor këtë vit i kushtohet temës “Bëni shëndetin mendor një prioritet global për të gjithë”. Tema pranon se shëndeti mendor duhet të vlerësohet, promovohet dhe mbrohet, pasi është thelbësor për mirëqenien tonë të përgjithshme dhe po aq i rëndësishëm sa shëndeti fizik.
Shënimi i Ditës Botërore të Shëndetit Mendor është një mundësi për njerëzit me probleme të shëndetit mendor, avokatët, qeveritë, punëdhënësit, punonjësit dhe palët e tjera të interesuara që të bashkohen për të njohur përparimin në këtë fushë dhe për të qenë të zëshëm për atë që duhet bërë për të siguruar që shëndeti mendor dhee mirëqenia të bëhet një prioritet global për të gjithë.
“Dita Botërore e Shëndetit Mendor është një mundësi e shkëlqyeshme për të rritur kolektivisht ndërgjegjësimin për vlerën e mbrojtjes së shëndetit mendor dhe për t'u përkushtuar për të punuar në drejtim të sigurimit që të gjithë të kenë mundësi të barabarta për të gëzuar shëndetin mendor dhe për të ushtruar të drejtat e tyre njerëzore”, shton Dr. Bajraktarov.