Forumet e Komunitetit do të vendosin për projektet që duhet të zbatohen në komuna
U ndanë certifikatat për 25 moderatorë për Forume në bashkësi në kuadër të projektit “Fuqizimi i këshillave komunale”
Qytetarët e 40 komunave, në disa nga vitet e ardhshme, përmes pjesëmarrjes në Forume në bashkësi do të vendosin drejtpërdrejt se cilat projekte duhet të realizohen në vendbanimin e tyre. Bëhet fjalë për një mjet për pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje në nivel lokal, i cili është vendosur dhe funksionon suksesshëm në vend prej më shumë se një dekade dhe tashmë realizohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i këshillave komunale”. Bëhet fjalë për program me vlerë totale prej 6.6 milionë dollarësh, i cili financohet nga Qeveria zvicerane dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, dhe bashkëfinancohet dhe realizohet nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në bashkëpunim me partnerët kombëtarë dhe lokalë.
“Zvicra, përmes Programit për bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut, e mbështet vetëqeverisjen lokale dhe decentralizimin më shumë se 15 vite. Paraqitja dhe realizimi i Forumeve nëpër komunitete është rezultat i këtij bashkëpunimi, i cili kontribuon dukshëm në inkurajimin dhe përfshirjen e qytetarëve në procesin e vendimmarrjes”, theksoi Veronik Ulman, ambasadore e Zvicrës në vend.
Me qëllim të realizimit të suksesshëm të Forumeve në bashkësi, në periudhën shtator – dhjetor 2022, BNJVL-ja dhe UNDP-ja realizuan proces të certifikimit të moderatorëve të forumeve. Pas trajnimeve dhe testimeve të realizuara, gjithsej 25 persona morën certifikata, të cilat sot u ndanë zyrtarisht.
“Ky proces i kontrollit të njohurive dhe shkathtësive për moderimin e proceseve të forumit duhet të jetë praktikë, me qëllim të ruajtjes së standardit për realizim cilësor të Forumeve në bashkësi përmes Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale dhe krijimit të praktikave të mira me të cilat mundësohet edhe vetëqëndrueshmëri e BNJVL-së”, tha kryetari i BNJVL-së, Orce Gjorgjievski.
“Ajo që është vërtet e rëndësishme nga pikëpamja e kapitalit shoqëror dhe angazhimit qytetar nuk është vetëm përfshirja nominale, por edhe pjesëmarrja aktive e qytetarëve. Prandaj moderatorët e forumit kanë rol kryesor në këtë proces, sepse detyra e tyre është të nxisin diskutim të gjerë, t’i përfshijnë të gjitha palët e interesuara dhe të sigurojnë mundësi të barabarta për pjesëmarrje të të gjithë anëtarëve të komuniteteve lokale”, tha Armen Grigorian, përfaqësues i përhershëm i UNDP-së.
Forumet në bashkësi u mundësojnë qytetarëve të marrin mjete dhe hapësirë adekuate që idetë dhe vizionet e tyre për iniciativa të reja të dëgjohen dhe të shqyrtohen nga vendimmarrësit lokalë. Duke zgjeruar rrjetin e moderatorëve të licencuar, jo vetëm që përforcohen kapacitetet për këtë aktivitet, por rritet edhe vetëdija publike.
“Gjithnjë e më shumë qytetarë vetëdijesohen për rolin e tyre në komunitetin lokal dhe se zëri i tyre nuk është i rëndësishëm vetëm në zgjedhje. Është përgjegjësi e autoriteteve qendrore dhe lokale që të krijojnë një mjedis në të cilin qytetarët në nivel lokal do të përfshihen në krijimin e shërbimeve dhe në marrjen e vendimeve për të gjitha çështjet e rëndësishme që reflektohen në jetën e tyre të përditshme”, theksoi zëvendësministri për Vetëqeverisje Lokale, Zoran Dimitrovski.
Në kuadër të fazës së dytë të projektit “Fuqizimi i këshillave komunale”, në katër vitet e ardhshme do të realizohen një sërë aktivitetesh për të nxitur zhvillimin e komunave dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve në komunitetet lokale. Për realizimin e këtyre qëllimeve do të punohet në avancimin e kapaciteteve të këshilltarëve komunalë, përfshirjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve në vendimmarrje, përmirësimin e legjislacionit, digjitalizimin e shërbimeve, rritjen e transparencës dhe luftën kundër korrupsionit. Një nga parimet kryesore të projektit është që gjatë realizimit të të gjitha aktiviteteve të projektit të respektohen në tërësi parimet e përfaqësimit të barabartë gjinor dhe mundësitë e barabarta për të gjithë qytetarët.