Gjermania dhe Maqedonia e Veriut: Ekspertja e OKB-së mirëpret përpjekjet për riatdhesimin, riintegrimin dhe ndjekjen penale të shtetasve të kthyer nga Siria dhe Iraku
13 korrik 2023
“Shtete të tilla si Gjermania dhe Maqedonia e Veriut kanë treguar se riatdhesimi është edhe praktik edhe i mundshëm”, tha Fionnuala Ní Aoláin, Raportuese speciale e OKB-së për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore derisa lufton terrorizmin
GJENEVË (13 korrik 2023) – Një eksperte e OKB-së përshëndeti sot përpjekjet thelbësore të bëra nga Gjermania dhe Maqedonia e Veriut për të adresuar situatën komplekse të shtetasve të tyre që kthehen nga zonat e konfliktit, në veçanti nga Republika Arabe e Sirisë, përmes riatdhesimit, riintegrimit dhe ndjekjes penale.
“Shtete të tilla si Gjermania dhe Maqedonia e Veriut kanë treguar se riatdhesimi është edhe praktik edhe i mundshëm”, tha Fionnuala Ní Aoláin, Raportuese speciale e OKB-së për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore derisa lufton terrorizmin, në fund të një vizite 10-ditore në Gjermani dhe Maqedoninë e Veriut.
Ní Aoláin theksoi kushtet e tmerrshme të paraburgimit masiv arbitrar në kampet dhe burgjet e Sirisë verilindore, duke theksuar pasojat veçanërisht të tmerrshme për fëmijët e cënuar që mbeten të paraburgosur pa qasje në arsim, kujdes shëndetësor, siguri dhe të drejta të tjera themelore.
“Unë mirëpres përpjekjet e Gjermanisë për të promovuar një angazhim energjik dhe ekspert të shoqërisë civile në proceset e shkëputjes, deradikalizimit dhe riintegrimit, duke demonstruar rëndësinë e një qasjeje që përfshin ‘të tërë shoqërinë’ për të kthyer këto persona, si dhe qasje që bazohet në të drejtat e njeriut dhe që mundëson riintegrimin holistik dhe jo-stigmatizues në shoqëri”, tha ajo.
Raportuesja speciale vuri në dukje se Maqedonia e Veriut ka filluar të zhvillojë një model të ri-integrimit të bazuar në komunitet bazuar në ekspertizën multidisiplinare, duke përfshirë punëtorët socialë, psikologët klinikë dhe aktorët e sigurisë, për të ri-integruar në mënyrë kuptimplotë familjet, veçanërisht gratë dhe fëmijët, në komunitetet e tyre.
Ekspertja nënvizoi rëndësinë e ndjekjeve penale në përputhje me sundimin e ligjit për krimet shkatërruese ndërkombëtare të kryera nga ISIS në Siri dhe Irak. Ajo përshëndeti qasjen inovative dhe unike të ndërmarrë nga Gjermania për të adresuar krimet thelbësore ndërkombëtare dhe gatishmërinë e dukshme të vendit për të mbyllur hendekun e madh të pandëshkueshmërisë për krimet e kryera nga ISIS.
“Unë shprehimisht bëj thirrje për riatdhesimin e burrave dhe grave nga Gjermania dhe Maqedonia e Veriut për të siguruar që përpjekjet e kthimit dhe llogaridhënies të vazhdojnë”, tha ajo.
Ní Aoláin tha se të dy vendet duhet të vazhdojnë të jenë vigjilentë për të siguruar që politikat dhe praktikat e ekstremizmit të dhunshëm që lidhen me kthimin dhe riintegrimin janë vërtet në përputhje me të drejtat e njeriut. Ajo shprehu shqetësimin se disa përpjekje riintegrimi në praktikë mund të krijojnë në vend që të parandalojnë stigmën dhe përjashtimin.
"Ndjekja penale dhe gjykimi i të kthyerve duhet të përmbushë standardet ndërkombëtare të procesit të rregullt dhe drejtësisë, dënimet duhet të jenë proporcionale dhe kushtet e burgut duhet të jenë adekuate për të siguruar që të kthyerit të kenë një mundësi të barabartë për rehabilitimin dhe riintegrimin në shoqëri," tha ekspertja e OKB- së.
Raportuesja speciale mirëpret qasjen proaktive të të dy Qeverive ndaj kësaj çështjeje sfiduese ligjore dhe politike, e cila ofron një shembull të vlefshëm për shtetet e tjera se si të lehtësojnë kthimin dhe riintegrimin e qytetarëve të tyre nga zonat e konfliktit, duke përfshirë Sirinë.
FUND
Znj. Fionnuala Ní Aoláin ëshë zgjedhur si Raportuese speciale për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore derisa lufton terrorizmin nga Këshilli për të drejtat e njeriut i Kombeve të Bashkuara. Ajo filloi të ushtrojë funksionin e saj më 1 gusht 2017. Znj. Ní Aoláin është njëkohësisht Profesor Regents dhe Robina Profesor i drejtësisë, politikave publike dhe shoqërisë në shkollën juridike të Universitetit të Minesotës dhe profesor i drejtësisë në Universitetin Queens, Belfast, Irlanda e Veriut. Kompetencat e saj mbulojnë të gjitha shtetet dhe është përditësuar së fundmi me rezolutën 49/10 të Këshillit për të drejtat e njeriut.
Raportuesit specialë janë pjesë e asaj që njihet si procedura speciale të Këshillit për të drejtat e njeriut. Procedurat speciale, organi më i madh i ekspertëve të pavarur në sistemin e të drejtave të njeriut të OKB-së, është emri i përgjithshëm i mekanizmave të pavarur të Këshillit për gjetjen e fakteve dhe monitorimin që trajtojnë ose situata të vendeve specifike ose çështje tematike në të gjitha pjesët e botës. Ekspertët e procedurave speciale punojnë në baza vullnetare; ata nuk janë staf i OKB-së dhe nuk marrin rrogë për punën e tyre. Ata janë të pavarur nga çdo qeveri apo organizatë dhe shërbejnë në kapacitetet e tyre individuale.
Faqja e OKB-së për të drejtat e njeriut: Gjermania dhe Maqedonia e Veriut
Për më shumë informata dhe kërkesa për media ju lutem kontaktoni:
Znj. Karen Reyes (Tolosa+41 76 342 3400; karen.reyestolosa@un.org );
Për pyetje për mediat në lidhje me ekspertë të tjerë të pavarur të OKB-së, ju lutemi kontaktoni Maya Derouaz(maya.derouaz@un.org).
Ndiqni lajmet në lidhje me ekspertët e pavarur të OKB-së për të drejtat e njeriut në Twitter @UN_SPExperts
Të shqetësuar për botën në të cilën jetojmë?
Atëherë ÇOHU për të drejtat e dikujt sot.
#Standup4humanrights
dhe vizitoni faqen e internetit në http://www.standup4humanrights.org