Projekti i financuar nga Bashkimi Evropian "Avancimi i konsolidimit të tokës në Maqedoninë e Veriut", i bashkëfinancuar dhe zbatuar nga Organizata për Ushqim dhe Bujqësi e Kombeve të Bashkuara (FAO) ka shpallur tender publik (Numri i referencës: 2023/CSAPC/REUDD /120213) për ofrimin e shërbimeve konsulente për "Konsolidimin e tokës në Maqedoninë e Veriut - Planifikimi i shpërndarjes së tokës dhe Projekti bazë për ndërhyrje në infrastrukturën bujqësore në Çiflik".
Aktivitetet që do të kryhen në kuadër të këtij tenderi përfshijnë hartimin dhe zbatimin e një Plani të rishpërndarjes së tokës dhe hartimin e ndërhyrjeve në infrastrukturën bujqësore në zonën e konsolidimit të Çiflikut. Më konkretisht, kontraktori duhet të bëjë vlerësimin e vlerës së tokës bujqësore në Çiflik, në përputhje me Ligjin për Vlerësimin dhe Metodologjinë për Vlerësimin e Pasurive në Bujqësi; hartimin e Planit për shpërndarjen e tokës, sipas parimit të shpërndarjes me ndryshim të kufijve, në përputhje me Ligjin për Konsolidimin e Tokës Bujqësore; hartimin e Projektit bazë për rehabilitimin/ndërtimin e infrastrukturës bujqësore në Çiflik, në përputhje me Ligjin për Ndërtim, Ligjin për Tokën Bujqësore dhe ligjet e tjera përkatëse; hartimin e Elaboratit gjeodezik për evidentimin e gjendjes së re të pronësisë në Agjencinë e Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme dhe të kryejë shënimin e matjeve dhe kufijve (rrethimin) të parcelave të reja në zonën e konsolidimit.
Ofertues potencial mund të jenë të gjitha shoqëritë e regjistruara në Regjistrin e Ofruesve të Shërbimeve të Konsolidimit të Tokës të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave (MBPMU), të cilët zotërojnë licencën B për projektim të lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve (MTL) të Maqedonisë së Veriut dhe janë të licencuara nga MTL për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme ose nga MBPMU për vlerësimin e aseteve në bujqësi.
Për të pasur qasje në dokumentet e tenderit dhe për të qenë në gjendje të paraqesin një ofertë, kompanitë e interesuara duhet së pari të regjistrohen në portalin e Tregut Global të Kombeve të Bashkuara - United Nations Global Marketplace (UNGM) në: www.ungm.org/ Vendor/Registration , pasi vetëm kompanitë e regjistruara do të kenë të drejtë të marrin pjesë. Pas regjistrimit të suksesshëm, kompanitë do të kenë mundësi të qasen në dokumentet e tenderit dhe të paraqesin ofertat e tyre përmes të njëjtit portal të UNGM( www.ungm.org/Account/Account/Login ).
Afati i fundit për dorëzimin e ofertës elektronike për tenderin është 20 shkurt (e hënë) 2023, jo më vonë se ora 13:00, koha e Evropës Qendrore.
Më shumë informacion:
Zona e konsolidimit të Çiflikut gjendet në komunën Çeshinovë-Obleshevë, në rajonin lindor. Ajo mbulon 156 hektarë (ha) tokë bujqësore, e ndarë në 1 263 parcela toke, me formë të parregullt dhe madhësi mesatare prej 0,12 ha, në pronësi të 438 pronarëve të tokave. Çifliku karakterizohet nga një terren kryesisht i rrafshët me tokë bujqësore pjellore dhe kushte të favorshme natyrore për prodhimin dominues të orizit. Nisma për konsolidimin e tokës në Çiflik erdhi nga pronarët lokal, të cilët shprehën interesin për konsolidimin e tokës në MBPMU në vitin 2017, dhe zona u zgjodh si e përshtatshme për konsolidim në vitin 2018, në kuadër të projektit të BE-së MAINLAND.
Në fazën e parë në procesin e konsolidimit të tokës, është kryer Studimi i fizibilitetit për konsolidimin e tokës në Çiflik në periudhën shkurt - korrik 2019. Studimi ekzaminoi tokën bujqësore dhe strukturën e prodhimit bujqësor në Çiflik, situatën me pronësinë e tokës, të gjitha çështjet aktuale pronësore dhe ligjore, vlerësoi interesin dhe angazhimin e pronarëve të tokave për të marrë pjesë në konsolidimin e tokës, preferencat e tyre individuale, si dhe nevojat lokale për të përmirësuar infrastrukturën bujqësore. Bazuar në analizën e detajuar, u gjykua se konsolidimi i tokës në Çiflik është i realizueshëm dhe se shumica dërrmuese e pronarëve të regjistruar të tokave janë të interesuar për këtë proces. Bazuar në studimin e fizibilitetit, hapi tjetër do të jetë planifikimi i shpërndarjes së tokës në Çiflik, sipas parimit të shpërndarjes me ndryshim kufijsh (Faza II e procesit të konsolidimit) dhe projektimi i ndërhyrjeve në infrastrukturën bujqësore - rehabilitim /ndërtimi i infrastrukturës bujqësore (rrugët hyrëse, kanalet kulluese dhe vaditëse) në zonën e konsolidimit (Faza III e procesit të konsolidimit të tokës).
Rreth projektit të BE-së "Avancimi i konsolidimit të tokës në Maqedoninë e Veriut"
Duke u mbështetur drejtpërdrejt në rezultatet e projektit MAINLAND, ky projekt synon të mbështesë MBPEU-në në avancimin e konsolidimit të tokës në Maqedoninë e Veriut, duke përmirësuar politikën nacionale për konsolidimin e tokës, duke përfshirë kornizën strategjike, ligjore dhe institucionale, si dhe në zbatimin e mëtejshëm të Programi Nacional të Konsolidimit të Tokës, nëpërmjet zbatimit të plotë të projekteve të konsolidimit në dy zona, së bashku me ndërtimin e infrastrukturës bujqësore. Buxheti i projektit është 1.2 milionë euro - financuar përmes Instrumentit të BE-së IPA II 2019 (1 milionë euro) dhe kontributit të FAO (0.2 milionë euro). Projekti do të zbatohet në një periudhë 42 mujore, nga gushti 2022 deri në janar 2026.