Indeksi i hapur INFORM ofron Përmbledhje të rrezikut nga fatkeqësitë në Maqedoninë e Veriut
Indeksi i rrezikut INFORM është një metodologji globale e hapur e vlerësimit të rrezikut për krizat dhe fatkeqësitë humanitare.
Duke ofruar një pamje të nivelit të lartë të rrezikut nga fatkeqësitë, INFORM ofron krahasime për një rajon ose një vend të vetëm. Mund të përdoret nga vendimmarrësit për ta analizuar dhe vizualizuar rrezikun, për t’i drejtuar vendimet mbi reagimin ndaj krizave dhe fatkeqësive, gatishmërinë, rezistencën – si dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Në nëntor të vitit 2021, modeli INFORM nën nivelin nacional u zhvillua për tre vende të Evropës Juglindore: Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Modeli INFORM për Evropën Juglindore, i krijuar nga Zyra Rajonale e OKB-së për Zvogëlimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë ZRRF për Evropë dhe Azi Qendrore – në bashkëpunim me Sekretariatin e Nismës për Përgatitjen dhe Parandalimin e Fatkeqësive për Evropën Juglindore (NPPF EJL) – zbret në nivelin e parë administrativ (që korrespondon me rajonet nën nivelin nacional, kryeqytetet dhe komunat) në të tre vendet me gjithsej 44 njësi administrative.
Në përgjithësi, Indeksi i rrezikut INFORM e ofron një kornizë proaktive të menaxhimit të rrezikut të fatkeqësive në lidhje me shpërndarjen efektive të burimeve për reduktimin dhe menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësitë – si dhe veprimet e fokusuara në parashikimin, zbutjen dhe përgatitjen për emergjencat humanitare. Ai gjithashtu i identifikon zonat ku mund të përmirësohet disponueshmëria e të dhënave nacionale për fatkeqësitë dhe manifeston përputhshmëri me zbatimin e Kornizës Sendai për ZRRF, Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm të OKB-së (OKB OZhQ) dhe nismat tjera globale. Metodologjia e INFORM nën nivelin nacional mund të kontribuojë në strategjitë nacionale për reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë, politikat, analizat mbështetëse, mobilizimin e burimeve dhe planifikimin e aktiviteteve.
Fokusi në Maqedoninë e Veriut
Analiza INFORM e rrezikut u fokusua në tetë rajonet statistikore të Maqedonisë së Veriut: Verilindor, Pollogu, Shkupi, Jugperëndimor, Juglindor, i Vardarit, Lindor dhe ai i Pellagonisë. Sipas të dhënave të fundit dhe atyre historike, Maqedonia e Veriut është në rrezik nga fatkeqësitë e ndryshme natyrore, duke përfshirë: tërmetet, përmbytjet, rrebeshi, shembjet e dheut, rrëzimet e gurëve, ortekët, thatësirat, si dhe valët e të nxehtit dhe valët e të ftohtit. Përveç këtyre edhe pandemia KOVID-19, kriza e emigrantëve dhe zjarret në vitin 2020 kapluan segmente të rëndësishme në territorin e vendit - sektorin e kujdesit shëndetësor dhe ekonominë në tërësi, me çka e kufizuan kapacitetin e Maqedonisë së Veriut për t’u përballë me krizën.
Prodhimi i Indeksit të INFORM mbi rrezikun në nivelin nacional për Maqedoninë e Veriut e përfaqëson një mjet thelbësor për politikëbërësit, me qëllim të identifikimit të hallkave më të dobëta në sistem dhe të formësimit të përgjigjes së politikave të bazuara në prova, duke e ndihmuar vendin të përgatitet më mirë për sfidat humanitare, ndryshimet klimatike dhe sfidat socio-ekonomike në planin afatgjatë.
INFORM e grupon rrezikun në tre dimensione – Rreziku dhe Ekspozimi, Vulnerabiliteti dhe Kapaciteti përballues – i cili më tej degëzohet në gjashtë kategori dhe komponentë të mëtejshëm specifikë më të rëndësishëm për Evropën Juglindore (shih më poshtë Grafikun 1). Indeksi i rrezikut për tetë rajonet nën nivelin nacional të Maqedonisë së Veriut ka në fokus 68 indikatorë të ndryshëm.
Indeksi i rrezikut shtrihet në harkun nga 0 (rreziku më i ulët) në 10 (niveli më i lartë i rrezikut). Më pas grupohet në pesë klasa rreziku: shumë i ulët, i ulët, i mesëm, i lartë dhe shumë i lartë. Bazuar në rezultatet e INFORM, shumica e rajoneve nën nivelin nacional u vlerësuan si rrezik mesatar. Megjithatë, për shkak të një renditjeje më të lartë të rrezikut në dimensionet e Rrezikut, Ekspozimit dhe Kapacitetit përballues, Shkupi dhe Pollogu janë rajone të klasifikuara si me rrezik të lartë (shih Grafikun 1 dhe Tabelën 1 më poshtë).
Analiza e rrezikut të fatkeqësive në Maqedoninë e Veriut
Dimensioni i Rrezikut dhe ekspozimi i mat ndodhitë e rrezikut natyror dhe njerëzor, që mund të ndodhin – si dhe njerëzit ose asetet që mund të pësojnë nga ato. Grafiku 2 tregon se në Maqedoninë e Veriut, ky dimension nxitet nga rreziqet natyrore, kryesisht thatësirat në të gjitha rajonet. Kur kombinohet me rreziqet e tërmeteve në rajonet e Shkupit dhe Pollogut së bashku me ekspozimin mbarëkombëtar të shembjes së tokës, Maqedonia e Veriut ka një rrezik të përgjithshëm të lartë të Rrezikut dhe ekspozimit.
Me përjashtim të rajonit të Shkupit dhe atë Verilindor, Maqedonia e Veriut ka një rrezik mesatar të cenueshmërisë. Dobësitë socio-ekonomike si rreziku i papunësisë dhe një pjesë e madhe e përfituesve të mbrojtjes sociale i shtyjnë rajonet drejt një rreziku më të lartë. Rezultat i lartë nacional për (jo)stabilitetin ushqimor gjithashtu kontribuon në rritjen e cenueshmërisë.
Kapaciteti përballues mund të përmirësohet përmes veprimeve qeveritare. Rajonet e Vardarit, ai Verilindor, Juglindor dhe Pollogut janë në klasën e rrezikut shumë të lartë, për shkak të problemeve me infrastrukturën si lidhja fizike rrugore. Komponenti institucional i këtij dimensioni tregon një rrezik të lartë të kapacitetit përballues – edhe pse rezultati i komponentit të qeverisjes në nivel nacional është më i kënaqshëm. Gjithashtu, mungesa e indikatorëve për komponentin ZRRF (nën kujdestarinë e Sendai dhe DesInventar) e kufizon analizën e mëtejshme të kapacitetit përballues të vendit.
Përmbledhja e rezultateve të INFORM për Maqedoninë e Veriut
Është më e lehtë për Maqedoninë e Veriut t’i trajtojë dimensionet e Cenueshmërisë ose Kapacitetet e Përballimit sesa Rreziku dhe ekspozimin. Përmirësimi i zhvillimit socio-ekonomik në mënyrë më të qëndrueshme duke forcuar politikat sektoriale (politika sociale ose shëndetësore) mund të çojë në zvogëlimin e cenueshmërisë. Gjithashtu, Kapaciteti përballues mund të përmirësohet duke e zhvilluar më tej infrastrukturën e vendit, si lidhja rrugore ose promovimi i aktivizmit përmes rritjes së interesit për vullnetarizmin (komponenti humanitar) ose përmirësimit të kapaciteteve shëndetësore (komponenti i kujdesit shëndetësor).
Indeksi INFORM i rrezikut për Evropën Juglindore (EJL) në rastin e Maqedonisë së Veriut, i zhvilluara në bashkëpunim dhe me rezultate të hapura, ofron të dhëna të vlefshme në çdo analizë që e mbështet planifikimin dhe proceset e shpërndarjes së burimeve. Ai është veçanërisht i dobishëm për mbështetjen e proceseve vendimmarrëse, siç është planifikimi strategjik humanitar, zhvillimor ose qeveritar.
Sesioni INFORM në nivelin nacional në Forumin Evropian për Zvogëlimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë FEZRRF
Rezultatet e indeksit INFORM të rrezikut nën nivelin nacional për Evropën Juglindore u prezantuan në Forumin Evropian për Zvogëlimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë (EFZRRF) në Matosinhos, Portugali më 24-26 nëntor të vitit 2021.
FEZRRF e formon strukturën e platformës rajonale të Evropës. FEZRRF-ja trevjeçare është një mjet i rëndësishëm për t’i adresuar sfidat rajonale të rrezikut nga fatkeqësitë, duke shërbyer si një forum për palët e interesuara për të marrë përgjegjësi të përbashkëta dhe për të marrë angazhime vepruese për reduktim të rrezikut të fatkeqësive. Besnike ndaj frymës shumëpalëshe të Kornizës Sendai, konferenca u mundëson qeverive dhe palëve të interesuara të shkëmbejnë njohuri dhe qasje inovative për ta parandaluar, reduktuar dhe menaxhuar rrezikun e fatkeqësive.
Z. Vlatko Jovanovski, Shef i Sekretariatit të NPPF EJL, theksoi: “Rezultatet e INFORM, gjegjësisht rezultatet e rrezikut nën nivelin nacional janë të rëndësishme për vendet e EJL-së dhe NPPF-së sepse: (1) ato zhvillohen me veprim të përbashkët ndërmjet autoriteteve nacionale (agjencitë e OKB-së janë entitete rajonale). (2) ato janë produkt i konsultimit, i cili krijoi një ndjenjë pronësie të modelit dhe rezultateve.”
Në sesionin INFORM morën pjesë folës nga Qendra e Përbashkët për Hulumtim e Komisionit Evropian (KE) (QPH), Sekretariati i NPPF EJL, Qendra për Gjendje Emergjente dhe Zvogëlim të Rrezikut nga Fatkeqësitë (QGJE ZRRF), Sekretariati i Rrjetit Shëndetësor të Evropës Juglindore (SRRSH EJL), OKB ZRRF, Agjencia Nacionale e Mbrojtjes Civile e Shqipërisë, Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Drejtoria e Përgjithshme e KE-së për Mbrojtje Civile Evropiane dhe Operacionet e Ndihmës Humanitare (DG ECHO).
Këto rezultate synojnë ta zhvillojnë një kuptim të përbashkët të rrezikut, t’i nxjerrin në pah zonat e cenueshme dhe të nxisin të kuptuarit e shtytësve themelorë të rrezikut. Gjetjet mund të përdoren për t’i adresuar shkaqet rrënjësore të rrezikut dhe për t’i përmirësuar strategjitë e ZRRF-ve në nivel rajonal dhe nacional, duke u marrë me zvogëlimin afatgjatë të rrezikut.
Duke e nënvizuar rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për t’i adresuar nevojat e vendit, znj. Mira Dasic, Kryetare e Sekretariatit të SRRSH EJL, shtoi: “Ne do t’i mbështesim përpjekjet tona të komunikimit me zgjidhje, duke ofruar ndërtimin e kapaciteteve për vendet – madje edhe duke u zhytur më thellë dhe duke zgjedhur rajone më të rrezikshme – me qëllim që t’i përmirësojmë kapacitetet dhe të sigurojmë përcjelljen e njohurive dhe praktikave nga rajonet më të mira në ato më pak të sigurta.”
Informacione plotësuese:
- Për më shumë informacione dhe detaje për rezultatet e INFORM EJL 2021, vizitoni: INFORM subnational risk index for SEE 2021, interactive 2021 results dashboard
- Për qasje në sesionin e incizuar të INFORM në FEZRRF ndiqeni këtë vegëz