Eko-novatorët e rinj morën fonde fillestare për t’i bërë realitet zgjidhjet e tyre për ujin
5 (pesë) ekipeve iu ndanë nga 120.000 denarë për t’i realizuar zgjidhjen e tyre inovative për përmirësimin dhe mbrojtjen e burimeve ujore në komunitetet.
Shkup, 18 prill 2022: Në punëtorinë e projektimit të idesë, 5 (pesë) ekipeve të të rinjve të moshës 13-19 vjeçare iu ndanë nga 120.000 denarë për t’i realizuar zgjidhjen e tyre inovative për përmirësimin dhe mbrojtjen e burimeve ujore në komunitetet e tyre dhe për përshtatjen ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike.
“Mbështetja e të rinjve në realizimin e ideve të tyre novatore për mbrojtjen e mjedisit ka qenë dhe do të jetë gjithmonë pjesë e të gjitha politikave dhe strategjive të hartuara nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Veçanërisht, më vjen mirë që fokusi i këtij cikli është uji dhe përdorimi i tij i qëndrueshëm. Prandaj pres që zgjidhjet inovative të përzgjedhura ta marrin mbështetjen e duhur financiare, sepse uji si burim është jetik dhe është kategoria më e cenueshme që do të preket nga ndryshimet klimatike”, tha Naser Nuredini, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
“Ne jemi të lumtur që fëmijët dhe të rinjtë iu përgjigjën me entuziazëm këtij cikli UPSHIFT, duke e demonstruar sërish aftësinë e tyre për të gjeneruar ide novatore, kur u jepet një hapësirë për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë. Ne e kemi për detyrë që të vazhdojmë t'i angazhojmë ata në kërkimin e zgjidhjeve. Veprimet mjedisore dhe klimatike duhet të dizajnohen për dhe me fëmijët dhe të rinjtë, sepse ata e mbajnë barrën më të madhe të ndryshimeve klimatike,” tha Patricia Di Xhovani, Përfaqësuese e UNICEF-it.
“Stimulimi i inovacionit të të rinjve dhe i projektimi i idesë është një mënyrë e shkëlqyer për t’i katalizuar ndryshimet pozitive në lidhje me mjedisin dhe veprimet klimatike. Unë i përgëzoj këta të rinj për angazhimin e tyre dhe i pres me padurim për idetë e shkëlqyera, që do t’i zhvillojnë në muajt në vijim!” tha H.E. Kristin Forsgren Bengtson, ambasadore e Suedisë në Maqedoninë e Veriut.
“Partneriteti ndërmjet FITR dhe UNICEF vazhdon të krijojë mbështetje thelbësore për sipërmarrësinë sociale të të rinjve dhe realizimin e ideve të të rinjve të talentuar. Më vjen mirë që në tre ciklet e kaluara të programit UPSHIFT kemi arritur të shpërblejmë 32 ekipe, të cilat do të punojnë në zgjidhje inovative për një mjedis të shëndetshëm, ushqim, ujë dhe ajër të pastër. Urime për të gjithë ata që u përfshinë në program, që hulumtuan së bashku dhe i ndanë aftësitë e tyre. Fondi, përmes instrumenteve të ndryshme, konkretisht Sfidës për Hulumtuesit e Rinj dhe FabLabs, do të vazhdojë ta inkurajojë inovacionin dhe të krijojë kushte më të mira për të gjithë të rinjtë në vendin tonë”, tha Festim Halili, drejtor i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik.
Pesë ekipet kryesore, të cilave iu dhanë fonde fillestare për zbatim të ideve të tyre përfshijnë:
- Ekipi “Burimi Milladinovci” nga shkolla e mesme profesionale “Brakja Milladinovci” në Shkup për idenë e tyre mbi ujitjen dhe mirëmbajtjen e oborrit të shkollës dhe kopshtit zoologjik, duke e rehabilituar pusin e shkollës për ta reduktuar përdorimin e ujit të pijshëm për ujitje.
- Ekipi AQUADRON nga shkolla e mesme profesionale “Kole Nedellkovski” në Veles për idenë e tyre për t’i parandaluar humbjet e ujit në ujësjellësin e qytetit të Velesit përmes vendosjes së sensorëve në gypat e ujësjellësit që do të dërgojnë informacione të drejtpërdrejta përmes sistemit SCADA.
- Ekipi “Waterpower” nga shkolla e mesme profesionale “Orde Çopella” nga Prilepi së bashku me ekipin “VODA” nga shkolla “Vllado Tasevski” Shkup për idenë e tyre lidhur me grumbullimin dhe shfrytëzimin e ujit të shiut në kontejnerët e sipërm, që do të përdoren për ujitjen e pemishteve në oborrin e shkollës së tyre. Gjithë sistemi do të furnizohet nga panelet diellore.
- Ekipi ECO FUTURE nga shkolla e mesme profesionale “8 Shtatori” në Tetovë për pastrimin e ujit të pijshëm në shkollën e tyre, përmes vendosjes së filtrave.
- Ekipi “VODA” nga shkolla e mesme profesionale “Vllado Tasevski” në Shkup së bashku me ekipin “Waterpower” nga shkolla “Orde Çopella”, Prilep për idenë e tyre mbi grumbullimin dhe shfrytëzimin e ujit të shiut në kontejnerët e sipërm, që do të përdoren për ujitjen e pemishteve në oborrin e shkollës së tyre. Gjithë sistemi do të furnizohet nga panelet diellore.
Gjatë tre muajve të ardhshëm ekipet do të mbështeten nga mentorë në zbatimin e ideve të tyre.
UPSHIFT është iniciativë e mbështetur nga UNICEF-i, e cila i kombinon punëtoritë e inovacionit social, me mentorimin, materiale dhe financimin fillestar. UPSHIFT synon ta nxisë të menduarit inovativ dhe kreativ te të rinjtë, që t’i kuptojë sfidat me të cilat përballen dhe t'i ndihmojë ata të hartojnë zgjidhje inovative në formën e një produkti ose shërbimi. Ai bazohet në metodologjinë e “projektimit të përqendruar te njeriu”, që është e transferueshme dhe i ndihmon si mësuesit ashtu edhe nxënësit të zhvillojnë aftësi sipërmarrëse, si: menaxhimi i projektit, të menduarit kritik, puna në grupe dhe komunikimi i suksesshëm.
Programi financohet nga Suedia, ndërsa zbatohet nga UNICEF dhe shoqata LEAD në partneritet me Fondin për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, si dhe mbështetet nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Byroja për Zhvillimin e Arsimit dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.