Nevzat Abdili ka më shumë se gjysmë shekulli që jeton në Jellovjanë.
Nuk kalon ditë pa kujtuar ngjarjet tragjike kur gjatë rrëshqitjes së tokës në fshat humbi pothuajse gjithçka që kishte punuar gjithë jetën. Shtëpia plasariti, dëmet janë të pariparueshme dhe familja Abdili u detyrua të largohej nga shtëpia, ndërsa të rinjtë filluan të kërkojnë punë nëpër qytete.
Shikojeni apelin e Nevzatit për ndihmë:
Por, ndihma është këtu. Shpresa për Nevzatin dhe vendasit rikthehet nga aktivitetet që tashmë po japin rezultate në kuadër të “Programit për përmirësimin e rezistencës ndaj përmbytjeve në Pollog” financuar nga qeveria zvicerane dhe zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në bashkëpunimin me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Programi parashikon transformimin e sistemit të mbrojtjes nga përmbytjet përmes zhvillimit të një qasjeje të integruar dhe të sofistikuar në trajtimin e përmbytjeve dhe llojeve të tjera të fatkeqësive. Hapi kyç është se për herë të parë në vend, një rrjet prej nëntë komunash si: Tetova, Gostivari, Tearca, Bogovina, Vrapçishti, Zhelina, Jugunovca, Mavrova-Rostushe dhe Bërvenica punojnë së bashku në zhvillimin e planeve për mbrojtjen nga përmbytjet. Koordinimi ndërkomunal i aktiviteteve dhe ndarja e mekanizimit janë vendimtare për parandalimin e përmbytjeve të ardhshme me pasoja katastrofike për jetën dhe pronën e popullatës.
Sanimi i shtretëve të lumenjve, stabilizimi i rrëshqitjeve, sanimi i deponive të egra përgjatë rrjedhave të lumenjve, pastrimi dhe mirëmbajtja e kanaleve ekzistuese për mbledhjen e ujrave atmosferik, ndërtimi i digave mbrojtëse, pyllëzimi me qëllim të mbajtjes së ujit të rrjedhës lumore, rindërtimi i stacioneve ekzistuese dhe instalimi i stacioneve të reja hidrolo-meteorologjike. Këto janë vetëm disa nga aktivitetet në kuadër të “Programit për përmirësimin e rezistencës ndaj vërshimeve në Pollog” financuar me 12 milionë franga zvicerane dhe realizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.