Jeta nën ujë
QËLLIMI 14 Targetet
14.1 Deri në vitin 2025, të parandalohet dhe ulet në mënyrë të konsiderueshme ndotja ujore e të gjitha llojeve, veçanërisht nga aktivitetet tokësore, duke përfshirë mbetjet ujore dhe ndotjet nga nutrientët.
14.2 Deri në vitin 2020, të menaxhohen dhe mbrohen në mënyrë të qëndrueshme ekosistemet detare dhe bregdetare, për të shmangur efektet negative të konsiderueshme, përfshi nëpërmjet rritjes së qëndresës së tyre dhe ndërmarrjes së veprimeve për restaurimin e tyre, që të përfitohen oqeane të shëndetshme e produktive.
14.3 Të minimizohen dhe trajtohen ndikimet e acidifikimit të oqeaneve, duke përfshirë përmes rritjes së bashkëpunimit shkencor në të gjitha nivelet.
14.4 Deri në vitin 2020, të rregullohet në mënyrë efektive mbarështrimi i peshqve dhe dhënia fund e peshkimit të tepërt, praktikave të peshkimit të paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar dhe praktikave shkatërruese të peshkimit, dhe zbatimi i planeve të menaxhimit të bazuara në shkencë, me qëllim rikrijimin e rezervave të peshqve në kohën më të shkurtër të mundshme, të paktën në nivele që mund të prodhojnë qëndrueshmëri maksimale, siç përcaktohet nga karakteristikat e tyre biologjike.
14.5 Deri në vitin 2020, të konservohen të paktën 10 për qind e zonave bregdetare e detare, në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar dhe mbështetur në informacionin më të mirë shkencor në dispozicion.
14.6 Deri në vitin 2020, të ndalohen format e caktuara të subvencioneve të peshkimit që kontribuojnë në tejkalimin e kapacitetit për peshkim dhe peshkimin e tepërt, të eliminohen subvencionet që kontribuojnë për peshkimin e paligjshëm, të paregjistruar dhe të parregulluar dhe të frenohet prezantimi i subvencioneve të reja, duke pranuar që trajtimi i veçantë dhe i diferencuar i përshtatshëm dhe efektiv për vendet në zhvillim dhe më pak të zhvilluara duhet të jenë pjesë përbërëse e negociimit të subvencioneve për peshkimin të Organizatës Botërore të Tregtisë.
14.7 Deri në vitin 2030, të rriten përfitimet ekonomike për vendet e vogla ishullore në zhvillim dhe vendet më pak të zhvilluara nga përdorimi i qëndrueshëm i burimeve detare, duke përfshirë menaxhimin e qëndrueshëm të peshkimit, akuakulturës dhe turizmit.
14.a Të rriten njohuritë shkencore, të zhvillohen kapacitetet kërkimore dhe të transferohet teknologjia detare, duke marrë parasysh kriteret dhe Udhëzimet e Komisionit Ndërqeveritar të Oqeanografisë për Transferimin e Teknologjisë Detare, me qëllim përmirësimin e shëndetit të oqeaneve dhe rritjen e kontributit të biodiversitetit detar në zhvillimin e vendeve në zhvillim, në veçanti të vendeve të vogla ishullore në zhvillim dhe vendet më pak të zhvilluara.
14.b Të mundësohet qasje për peshkatarët e vegjël artizanalë në burimet dhe tregjet detare.
14.c Të rritet konservimi dhe përdorimi i qëndrueshëm i oqeaneve dhe burimeve të tyre duke zbatuar të drejtën ndërkombëtare, siç reflektohet në Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin e Detit, e cila ofron kuadrin ligjor për ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të oqeaneve dhe burimeve të tyre, sikundër nënvizohet në paragrafin 158 të “Së ardhmes që duam”.
Burimi: Zhvillimi i Qëndrueshëm i OKB-së