Në mjediset rurale të Maqedonisë së Veriut, FAO ndihmon në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe rezistent ndaj klimës
Si në shumë pjesë të botës, edhe në Maqedoninë e Veriut po braktisen komunitetet rurale.
Popullsia rurale po migron drejt qendrave urbane ose jashtë vendit, në kërkim të një cilësie jetese më dinamike dhe mundësie më të mirë ekonomike.
Zonat rurale karakterizohen shpesh nga papunësia e lartë, mundësitë e kufizuara për të ardhura të denja dhe zhvillimi ekonomik, infrastruktura e vjetruar, mungesa e njohurive dhe burimeve për praktikat e qëndrueshme bujqësore dhe vulnerabiliteti ndaj ndryshimeve klimatike.
Me qëllim të adresimit të këtyre sfidave, gjatë dekadës së fundit FAO e ka mbështetur Qeverinë e Maqedonisë së Veriut në përpjekjet e saj për rehabilitimin dhe rigjallërimin e zonave rurale si dhe për sigurimin e prodhimit të qëndrueshëm të ushqimit. Aktivitetet përmes Programit të FAO-s për Bashkëpunim Teknik përfshijnë, por nuk kufizohen në, mbështetjen e politikave, ngritjen e kapaciteteve institucionale, reformën e tokës, përmirësimet në sistemet e cilësisë së ushqimit, zinxhirët e vlerës, sistemet e ujitjes dhe kullimit dhe konsolidimi i tokës bujqësore.
Kohëve të fundit janë arritur rezultate të rëndësishme në mbështetjen e disa komuniteteve rurale në mënyrë që të sigurohet se ato mund të ofrojnë mundësi tërheqëse për jetë dhe zhvillim të qëndrueshëm për brezat e rinj. Me mbështetjen e FAO-s dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, fshatrat Optiçari, Zhabeni, Egri në komunën e Manastirit dhe fshatrat Spançevë, Sokolarci dhe Çeshinovë në komunën Çeshinovë-Obleshevë morën pjesë aktive në një projekt të integruar të zhvillimit lokal, duke i adresuar sfidat kryesore sociale, ekonomike dhe mjedisore të këtyre komuniteteve rurale.
Bazuar në nevojat e identifikuara në çdo komunitet, u bënë investime të vogla për përmirësimin e jetesës në fshat, veçanërisht në drejtim të përmirësimit të mjedisit arsimor. Ato u kryen paralelisht me ndërhyrjet e vazhdueshme, më të mëdha nga FAO, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe partnerët tjerë për mbështetje të reformave strukturore të tokës, si dhe prodhimit bujqësor produktiv, të qëndrueshëm dhe rezistent ndaj klimës.
"Është me e rëndësishme të kemi një qasje të integruar ndaj zhvillimit të komunitetit lokal,” tha Morten Hartvigen, Zyrtar i menaxhimit të tokës në FAO. “Kjo qasje jo vetëm që i adreson sfidat e bujqësisë dhe zhvillimit rural për produktivitet dhe konkurrencë më të madhe, por gjithashtu mundëson që zhvillimi të jetë gjithëpërfshirës dhe të shpie në kushte më të mira jetese në komunitetet rurale - për gratë, burrat dhe grupet e rrezikuara të lëna jashtë”.
Përmes një projekti tjetër për përmirësimin e qëndrueshmërisë klimatike, FAO ndihmoi në ngritjen e lokaliteteve demonstruese për studimin dhe testimin e teknologjive inovative klimatike të mençura për prodhimin bujqësor, duke i vendosur ato në tre pilot lokacione: Shkolla e mesme profesionale “Dimitar Vllahov” në Strumicë, fshati Miravci në komunën e Gjevgjelisë dhe Resnjë.
FAO siguroi serra moderne, pajisje vaditjeje, sisteme hidroponike dhe ngrohje, vende eksperimentale për demonstrimin e sistemeve të jashtme të kursimit të ujit përmes ujitjes nëntokësore, mbrojtjes UV dhe sistemeve të mbrojtjes nga breshri.
Plani është që këto pilot zona të mirëmbahen më tej nga shkolla dhe kooperativat bujqësore lokale, duke përfituar më shumë se 300 nxënës të shkollave të mesme dhe fermerë të rinj, duke mësuar dhe praktikuar teknologji bujqësore të mençur në raport me klimën.
Gjithashtu, me mbështetjen e kooperativës bujqësore “Petrushka Reka” dhe shoqatës së pemëtarisë “Bllagoj A. Kotllarski”, qindra fermerë aktivë në Resnjë dhe Miravci do të përfitojnë drejtpërsëdrejti nga praktikat e të mësuarit si prodhimi në serra, diversifikimi dhe rrotacioni i kulturave, rrjetet e mbrojtjes nga rrezet UV dhe shumë më tepër.
Sipas Uilliam Fakava, Zyrtar i FAO-s për prodhimin dhe mbrojtjen e bimëve, adoptimi dhe aplikimi i teknologjive për bujqësi të mençur në raport me klimën do t’i ndihmojë fermerët të arrijnë prodhim ndjeshëm të përmirësuar të kulturave bujqësore dhe rritjen e elasticitetit ndaj ndryshimeve klimatike. Ai theksoi se “këto pilot veprime synojnë të inkurajojnë iniciativa më të mëdha për t’i trajtuar ndryshimet klimatike dhe për ta transformuar sistemin nacional agro-ushqimor, duke e rritur prodhimin bujqësor në mënyrë të qëndrueshme, me qëllim që të përmbushen Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm”.