Kombet e Bashkuara në Maqedoninë e Veriut publikuan raportin vjetor mbi rezultatet e arritura gjatë vitit 2021
09 qershor 2022
Puna e përbashkët çon në rezultate më të mira dhe më të qëndrueshme, rrit efikasitetin dhe eliminon dyfishimin dhe përsëritjen. Ky është një nga konkluzionet nga Raporti Vjetor i sapo publikuar për rezultatet e Kombeve të Bashkuara (OKB) të arritura në Maqedoninë e Veriut, i cili paraqet përkushtimin kolektiv të familjes së OKB-së, qeverisë dhe partnerëve të tjerë që punojnë për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
"Qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm nuk janë vetëm një plan shtesë për botën, por një vizion i përbashkët, dhe prandaj duhet të pranojmë plotësisht transformimin dhe zbatimin e tyre. Për të arritur Agjendën 2030, Maqedonia e Veriut mbetet plotësisht e përkushtuar në zhvillimin e institucioneve dhe partneriteteve që do të mundësojnë qëndrueshmëri për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme”, thekson Bujar Osmani, Ministër i Punëve të Jashtme.
Raporti fokusohet në rezultatet e vitit 2021, si dhe në mësimet e nxjerra gjatë procesit të zbatimit të programeve gjatë vitit të parë të Kornizës së Bashkëpunimit për Zhvillimin e Qëndrueshëm (KBZHQ) 2021–2025, si një dokument i përbashkët strategjik i OKB-së dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
“Pandemia e shkaktuar nga KOVID-19 i kujtoi botës se të gjithë jemi të lidhur dhe se duhet të punojmë së bashku për të arritur zhvillim të qëndrueshëm në mënyrë që askush të mos mbetet prapa”, thekson Rosana Dudzak, Koordinatore e Përhershme e OKB-së në Maqedoninë e Veriut. "Ky raport praktikisht tregon se si puna e përbashkët mund të kontribuojë në rezultate më të mira."
Në përputhshmëri me prioritetet e përcaktuara në KBZHQ 2021-2025, raporti monitoron progresin në katër fusha: mirëqenie gjithëpërfshirëse, shërbime cilësore për të gjithë, mjedis të shëndetshëm dhe qeverisje të mirë.
Ndër shumë të tjera, disa nga rezultatet e shënuara në raport përfshijnë edhe krijimin e 6.822 vendeve të reja pune për gjeneratat më të reja, ofrim këshillash dhe shërbimesh për digjitalizim ndaj mbi 500 kompanive vendase, konsolidim të 1.078 hektarë tokë bujqësore, përmirësim të gjendjes ekonomike dhe kthim të fëmijëve nëpër bankat shkollore. Gjithashtu, progres është bërë edhe në punësim, sidomos tek femrat, të cilat ishin më të prekura gjatë pandemisë, por jo edhe aq tek të rinjtë, gjë që ngelet ende si sfidë.
Gjithsej 24 organet e OKB-së në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2021 kanë punuar së bashku me më shumë se 130 partnerë dhe puna e tyre ka qenë në përputhshmëri me zhvillimin kombëtar shtetëror, me prioritetet strategjike, angazhimet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore, si dhe me angazhimet për Agjendën 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Versioni digjital i këtij raporti është i disponueshëm në tri gjuhë, dhe atë në gjuhën angleze, maqedonase dhe shqipe, dhe i njëjti mund të gjendet në këtë link.