Fjalim i Koordinatorit Rezident të OKB-së në Maqedoninë e Veriut, Rosana Duxhak
Fjalim i Koordinatorit Rezident të OKB-së në lidhje me shënimin e “Ditës së të Drejtave të Njeriut të OKB-së” dhe “16 Ditëve të Aktivizmit”
Më 10 dhjetor 1948, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Kjo është edhe themeli i Axhendës 2030 për zhvillim të qëndrueshëm. Vlerat e përbashkëta për të gjithë popujt dhe të gjitha kombet tani janë më të rëndësishme se kurrë. Mbajtja e të drejtave të barabarta për të gjithë është thelbësore për prosperitetin dhe të ardhmen e brezave që do të vijnë. Më vjen mirë që sot këtu për të shënuar këtë ditë të rëndësishme bashkërisht kemi disa individ kryesorë të angazhuar aktivisht në të drejtat e njeriut.
Sfidat e vitit 2022 kanë vazhduar të ndikojnë në të gjitha aspektet e punës dhe të jetës sonë. Përderisa ishte ende duke u rikuperuar nga ndikimi socio-ekonomik i pandemisë KOVID-19, rajoni e filloi vitin me një krizë energjetike që u përkeqësua nga ndikimi i luftës në Ukrainë, e cila gjithashtu preku ndjeshëm sistemet ushqimore dhe ekonominë globalisht. Kriza ka larguar vëmendjen nga çështjet mjedisore dhe ndryshimet klimatike dhe ka ekspozuar varësinë globale nga lëndët djegëse fosile. Në të njëjtën kohë, viti 2022 pa një interes në rritje për burimet e rinovueshme të energjisë dhe efiçencën e energjisë. Ekipi i OKB-së bëri përpjekje të veçanta për të analizuar ndikimin e krizës energjetike, ushqimore dhe financiare dhe ndikimin e saj në grupet vulnerabël.
Rezultatet e censusit të shumëpritur të publikuar në vitin 2022 tregojnë ndryshime të rëndësishme demografike në vend. Popullsia e përgjithshme ka rënë dhe po plaket, sidomos në disa qytete që po përballen me shpopullim. Tendencat e forta të migrimit për motive punësimi kanë ulur gjithashtu përqindjen e të rinjve në moshë pune. Jetëgjatësia është rritur, gratë po bëjnë më pak fëmijë. Këto janë tendenca të rëndësishme, shkaqet dhe ndikimet e të cilave duhet t'i kuptojmë plotësisht dhe të marrim parasysh dhe të mbështesim masat e politikave për t'i trajtuar ato.
Në nivel global, Samiti i Transformimit të Arsimit dha një mundësi unike për ta ngritur arsimin në krye të agjendës politike globale dhe për të diskutuar se si të transformohet arsimi për të përgatitur të rinjtë për të ardhmen dhe për të kompensuar humbjet e të mësuarit që lidhen me pandeminë. Maqedonia e Veriut ishte pjesë e samitit dhe paraqiti një deklaratë ambicioze kombëtare të angazhimeve; për të siguruar që shkollat të jenë mjedise gjithëpërfshirëse, të barabarta, të sigurta dhe të shëndetshme për nxënësit dhe stafin; përmirësimin e të mësuarit dhe aftësive jetësore. E gjithë kjo është një çështje mjaft sfiduese dhe OKB-ja do të vazhdojë të mbështesë reformat në këtë drejtim.
Fillimi i procesit të integrimit në BE do t'i japë një shtysë shtesë reformave që synojnë zhvillimin e qëndrueshëm. Shpresojmë të shohim përparimin e vazhdueshëm të vendit drejt anëtarësimit në BE në vitin 2023.
Kombet e Bashkuara dhe partnerët mbeten të angazhuar në shumë fusha për të mbështetur vendin në adresimin e këtyre sfidave. Në Maqedoninë e Veriut, 24 entitete të OKB-së me aktivitete operative në zhvillim dhe një staf prej më shumë se 350 punonjësish mbeten plotësisht të përkushtuara për zbatimin e agjendës së përbashkët. Korniza pesëvjeçare e Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDCF) është mjeti kryesor që udhëheq punën e OKB-së në vend për të kontribuar në prosperitet gjithëpërfshirës, shërbime cilësore për të gjithë, një mjedis të shëndetshëm dhe qeverisje të mirë në Maqedoninë e Veriut.
Ne do të qëndrojmë në linjë edhe gjatë vitit 2023 dhe do të prezantojmë nisma të mëtejshme për të përshpejtuar përparimin e vendit në agjendën e qëndrueshmërisë.
Në fushën e prosperitetit, OKB-ja do të vazhdojë të mbështesë SME-të për të krijuar vende pune cilësore dhe të gjelbra; zhvillimin e aftësive dhe përmirësimin e shërbimeve për grupet vulnerabël, veçanërisht të rinjtë, gratë, të moshuarit dhe njerëzit me nevoja të veçanta; përmirësimin e mjedisit, dialogun social dhe luftën kundër informaliteteve; si dhe mbështetjen e autoriteteve për të përmirësuar konsolidimin e tokës dhe sigurinë ushqimore.
Në fushën e shërbimeve cilësore për të gjithë, OKB-ja do të vazhdojë të mbështesë reformat në arsim, shëndetësi dhe kujdes social për të siguruar që ajo të mos mbetet pas.
Në fushën e mjedisit të shëndetshëm, në vitin 2023 do të nisim disa iniciativa të reja të përballueshme për burime të rinovueshme dhe efiçencë të energjisë përmes financimit të gjelbër, iniciativa për qëndrueshmëri klimatike të bujqësisë përmes përmirësimit të infrastrukturës së ujitjes; mbështetje për natyrën dhe mjedisin e rajoneve të Liqenit të Prespës, Malit Shar dhe Liqenit të Ohrit dhe ballafaqime me ndotjen e ajrit në qytetet jashtë Shkupit.
Në fushën e qeverisjes së mirë, do të vazhdojmë të forcojmë dhe harmonizojmë politikat, kuadrin ligjor dhe institucional me standardet ndërkombëtare dhe ligjin e BE-së, me fokus të veçantë te grupet e margjinalizuara dhe ata që kanë mbetur pas. Nismat do të vazhdojnë edhe në vitin 2023, ndër të tjerash do të fokusohemi edhe në transformimin digjital, reformat në administratën publike dhe gjyqësorin, forcimin e kapaciteteve dhe përgjegjësive institucionale, si dhe ndërtimin e narrativave konstruktive mes të rinjve, qëndrimeve pozitive ndaj refugjatëve dhe migrantëve.
Së fundi, vazhdojmë të mbështesim punën e vendit në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit njëzet vjeçar (SKZH), nga afër me Qeverinë dhe veçanërisht me zëvendëskryeministrin Bytyqi – i cili është sot me ne.
Dua të falënderoj kolegët nga të gjitha entitetet e OKB-së për ndarjen e njohurive dhe për angazhimin e tyre në mbështetjen e vendit. Të gjitha aktivitetet e përmendura janë falë përpjekjeve të tyre të përkushtuara. Gjithashtu, të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të partnerëve ndërkombëtarë, dua t’ju falënderoj për mbështetjen bujare, pa të cilën rezultatet nuk do të ishin të mundshme. Dhe së fundi, më lejoni të falënderoj zëvendëskryeministren Bytyqi si dhe ministrat Nuredini dhe Spasovski, dhe të gjithë përfaqësuesit e Qeverisë që janë sot këtu me ne, për bashkëpunimin e vazhdueshëm.